Kulturë Rikthehet vepra që dënoi Minush Jeron

Rikthehet vepra që dënoi Minush Jeron

301
0
SHPËRNDAJE

“Njollat e murrme” pas 48 vitesh në Teatrin e Metropolit

Alda“Njollat e murrme” drama që do ta çonte në burg dramaturgun e saj Minush Jero rikthehet sot në skenën e Teatrit Metropol nën drejtimin e Sonila Kapedani, gati 48 vjet më pas. Sipas Kapedanit, janë përzgjedhur disa episode kryesore të veprës së ndaluar në vitin 1973 të cilat do të inskenohen në sallën “Çehov” të teatrit nga aktorët Shkëlzen Berisha, Armela Demaj, Klodjana Keco, Roerd Toce, Arben Bruci nën drejtimin e Sonila Kapidanit. Sipas saj është zgjedhur forma e Forum-Teatrit, me qëllim  përfshirjen e drejtpërdrejtë të publikut. “Do të realizojmë një prezantim të dobishëm dhe nxitës për shoqërinë, që nuk mëton të japë zgjidhje absolute, por të hulumtojë shtigje dhe mundësi, që respektojnë të drejtën njerëzore. Realizimi i këtij forumi, do të synojë eksplorimin e çështjeve si liria e njeriut, të drejtat themelore qytetare si edhe ato, që prekin bërthamën e shoqërisë, familjen dhe rolit të gjithësecilit pjesëtare në harmoninë e saj”, shprehet Kapidani.

Drama “Njollat e Murrme” është një vepër e vënë në skenë në vitin 1968 dhe pasi mori vlerësimet më të mëdha si vepër mjaft e arrirë estetikisht, ajo u dënua nga diktatura si manifestim i liberalizmit dhe paskësaj ndërroi kahun e jetës të shumë artistëve, që e realizuan dhe kritikëve që e vlerësuan. “Një shfaqje artistike e konsideruar si mjaft e suksesshme, me një të rënë të lapsit, u kthye në makth të shumë artistëve e quajtur si antisocialiste. Sot, në këtë aktualitet që po përpiqet të zbardhë errësirën  e asaj kohe të padrejtë, ky prezantim do të vijë edhe si njohje, edhe si kujtesë edhe si mundësi për të artikuluar dëmet dhe çlirimin nga pesha e tyre”, shprehet Kapidani. Drama u bllokua dhe në 1973 Minush Jero dënohet me 8 vjet burg. Pasi bën 6 vjet e 8 muaj burg,lirohet në 28 dhjetor të vitit 1978. Më pas punon si punëtor i thjeshtë në një Fabrikë Gome në Durrës nga viti 1979 deri në 1987. Pasi fillon lëvizja demokratike në vitet 1990 ai themelon degën e Partisë Demokratike në Durrës dhe më pas hap sallonin e artit “Torra”. Ishte koha kur regjisori francez Domenic Dolemie vë në skenë në Francë dramën “Njolla të Murrme”.  Minush Jero u nda nga jeta në mars të vitit 2006.

7 dhjetor 2016 (gazeta-Shqip.com)