Quhet Iahke Mashrapov dhe është 28 vjeç autori i dyshuar i masakrës në Stamboll natën e ndërrimit të viteve. Autori i mundshëm ka një pasaportë të Kirkizstanit, sipas asaj që raporton televizioni shtetëror, me të cilën është pajisur në republikën ish-sovjetike të Azisë qendrore në 21 tetor. Burime të policisë bëjnë të ditur se është arrestuar edhe gruaja e “killerit”, e ndaluar në provincën e Konias, ku bashkëshorti ka mbërritur me të dhe dy fëmijët në fund të muajit nëntor.


Atentatori i Vitit të Ri ndodhej në Turqi prej më pak se një muaji, sipas të dhënave të lëvizjeve të tij nga ana e shërbimeve të inteligjencës turke. Ai kishte mbërritur në 20 nëntor me familjen. Dy ditë më pas kishte shkuar në Konia për arsye pune, sipas asaj që kishte deklaruar vetë ai në atë periudhë.


Kishte marrë me qira një apartament përmes një agjencia imobiliare, duke paguar paradhënie për 3 muaj radhazi. Ata që e kanë denoncuar në polici, pas shpërndarjes dhe publikimit të fotos së tij në mediat turke, kanë qenë fqinjët e shtëpisë.


Sulmi filloi në orët e hershme të së dielës, kur një person i armatosur vrau një oficer policie dhe një civil jashtë klubit “Reina”, para se të hynte brenda. Mbi 600 veta ishin në klub në atë kohë dhe disa prej tyre u hodhën në ujërat e Bosforit për t’u shpëtuar plumbave. Klubi “Reina”, në lagjen Ortakoj, një zonë në Ngushticën e Bosforit, është i njohur për praninë e personave të famshëm dhe të huajve.


Në ndjekje të Mashrapov janë vënë me mijëra agjentë dhe policë në të gjithë Turqinë.


3 janar 2017 (gazeta-Shqip.com)