Dje pasdite, policia franceze, në aeroportin e Bazelit, ka arrestuar liderin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe ish kryeministrin e vendit Ramush Haradinaj.


Haradinaj, i arrestuar sipas fletarrestim ndërkombëtar të lëshuar nga Serbia, po mbahet në një stacion policor në Francë.


Haradinaj sot pritet të merret në pyetje nga autoritete franceze të drejtësisë për të hetuar faktin nëse ka pasur arsye për të mos e ekzekutuar kërkesën për ekstradim të palës serbe, posaçërisht në këtë rast pasi është lëshuar për arsye politike. Pal Lekaj, kryetar i grupit parlamentar të AAK –së  ka thënë se pret lirimin e Haradinajt sot në orën 13.


Kundër arrestimit të Haradinajt kanë reaguar bartës të institucioneve të vendit: Presidenti i vendit, kreu i Kuvendit, qeveria, dikastere të qeverisë, parti politike e individë.


Ramush Haradinaj, udhëheqës i UÇK-së për Zonën e Dukagjinit, dy herë është përballur me drejtësinë ndërkombëtare në Hagë dhe ajo dy herë e ka shpallur dhe e ka liruar të pafajshëm.


5 janar 2017 (gazeta-Shqip.com)