Shtabi i emergjencave është mbledhur sot për të diskutuar në lidhje me masat që do të merren për shkak të motit të keq. Kryetari i Bashkisë Erion Veliaj këshilloi të gjithë qytetarët që të tregojnë kujdes gjatë këtyre ditëve të ftohta.


“Merrni masa kur dilni jashtë. Evitoni aktivitetet e rënda fizike që u shkaktojnë djersitje.  Do i lusja të gjithë qytetarët që shëtitjet në Malin e Dajtit t’i ruajnë për javën tjetër. Nëse shihni njerëz në nevojë, që dridhen nga i ftohti, njoftoni emergjencat”, këshilloi ai.


Veliaj ka deklaruar se për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve do të jenë në detyrë të gjitha strukturat bashkiake.


“Do të jenë të hapura të gjitha qendrat sociale. Do të jenë të hapura të 24 njësitë bashkiake të Tiranës. Gjithashtu do të hapim çerdhe, shkolla dhe Pallatin e Sportit për ata që nuk kanë një strehë”, ka thënë Veliaj.


Ai ka shtuar se në ndihmë të qytetarëve në nevojë është vënë në dispozicion edhe numri i gjelbër i bashkisë, 08188.


5 janar 2017 (gazeta-Shqip.com)