Policia e Fierit parandalon një ngjarje të rëndë brenda familjes, arreston në flagrancë kryefamiljarin. Në pranga ka rënë shtetasi Aranit Shahaj, 55 vjeç, banues në fshatin Çakran, Fier. Arrestimi i këtij shtetasi u bë pasi në banesë, në grindje e sipër ka tentuar të vrasë me armë gjahu bashkëshorten e tij, shtetasen B.Shahaj, 55 vjeçe, e cila nuk ka pësuar dëmtime.
Pas marrjes së njoftimit në numrin e emergjencave “129” nga një shtetase e cila kërkonte ndihmë pasi bashkëshorti po e keqtrajtonte, menjëherë në vendngjarje shkojnë shërbimet e policisë të cilët bëjnë të mundur arrestimin në flagrancë të autorit dhe sekuestrimin në cilësinë e provës materiale të armës së gjahut teke model “Beretta” dhe 3 gëzhoja arme gjahu.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë për veprën penale “Vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare e mbetur në tentativë”.
8 janar 2017 (gazeta-Shqip.com)