Një person ende i pa njohur ka hapur zjarr kundër forcave që ruanin godinën e partisë opozitare PASOK në rrugën “Harilao Trikupi” në lagjen “Eksarqia” të Athinës.


Sipas informacioneve të para, personi i armatosur ka qëlluar tre herë me një armë automatike kallashnikov,duke plagosur një polic,i cili është dërguar me urgjencë në spital.


Mjekët thanë se i plagosuri ka dy shenja plumbash,për fat nuk i rrezikohet jeta.


Menjëherë në zonë kanë mbërritur forca të shumta të policisë, të cilat po kërkojnë nëpër rrugicat e “Eksarkias” personin e armatosur.


Policia e ka cilësuar sulmin si një akt terrorist. Dyshohet se atentatorët janë anëtarë ende të pa arrestuar të ndonjë organizate terroriste vendase.


Një ditë më parë, ministri i Mbrojtjes së qytetarit deklaroi se tashme asnjë organizatë terroriste nuk është aktive, mbas arrestimit të terroristes Pola Rupa dhe një bashkëpunëtoreje të saj.


10 janar 2017 (gazeta-Shqip.com)/TCH