Ministri i Drejtësisë Ylli Manjani, gjatë një interviste të dhënë në emisionin “Top Story”, në Top Channel, tha se vazhdon me bindjen e tij që për të zhdukur fenomenin e hashashit në Shqipëri, duhet të ndërhyjë ushtria.


“Shumë njerëz kanë preferuar që të dalin partizanë në male për të punuar në kultivimin e hashashit. Imazhi në Shqipëri po dëmtohet nga ky fenomen dhe kjo nuk është një gjë e mirë. Por ne po bëjmë një strategji për të goditur këtë fenomen.


Nuk mund të jap më shumë detaje në lidhje me këtë çështje sepse bëhet fjalë për një tryezë pune. U gëzova që po punohet për të luftuar këtë fenomen. Duhet ta ndalim me çdo kusht, me ushtri, me xhandarmëri, me polici. Thelbi i këtij fenomeni është kontrolli i territorit. Droga është një rrezik kombëtar”, tha Manjani.


Për sa i përket Klement Balilit, të ashtuquajturit “Baroni i Drogës”, Manjani mohon që të ketë lidhje me këtë person dhe se i takon policisë që ta arrestojë. “E njoh Klement Balilin nëpërmjet letrave. Nuk kam asnjë njohje për këtë zotëri. Ministri i Drejtësisë nuk bën arrestime dhe nuk e di arsyen se përse është ende i lirë. Më 17 maj 2016, kam firmosur dokumentin për shpalljen e tij në kërkim kombëtar dhe që ai të arrestohej. Nuk jap informacion në lidhje me këtë dosje sepse është informacion hetimor”, tha ministri i Drejtësisë.


Në lidhje me sistemin e drejtësisë, Manjani tha se është krijuar një amulli për shkak edhe të reformës. “Ne nuk dimë se si të veprojmë sepse kanë hyrë në fuqi ligje të reja dhe ndërkohë nuk janë ngritur institucionet që dihet të punojnë për respektimin e ligjit”, sqaroi Manjani.


12 janar 2017 (gazeta-Shqip.com)