Ekonomi Përmbytjet e pritshme, qeveria akordon 141 mln lekë shtesë për masat mbrojtëse

Përmbytjet e pritshme, qeveria akordon 141 mln lekë shtesë për masat mbrojtëse

169
0
SHPËRNDAJE
Citroen Oferta 2

Teksa i gjithë vendi është përfshirë nga moti i acartë, temperaturat e ulëta dhe reshjet e dëborës, janë duke u marrë masa për atë që do të mund të vijë më pas.

Reshjet e shiut që parashikohet të përfshijnë më vonë vendin mund të shkaktojnë përmbytje, ndaj dhe qeveria i akordoi një fond shtesë Ministrisë së Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, në vlerën e rreth 141 milionë lekëve për ndërhyrje emergjente në

infrastrukturën e mbrojtjes nga përmbytjet për disa objekte që ndodhen kryesisht në rajonin e Durrësit dhe Lezhës. Pjesa më e madhe e buxhetit (rreth 20 milionë lekë) parashikohet të shkojë për rehabilitimin e argjinaturës së lumit Kir, e më pas të atij të lumit Mat Tale.

Kjo shumë do të përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit.

Ministria e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, njoftoi se pas dëborës së ditëve të fundit dhe temperaturave të ulëta, dëmet në sektorin e bujqësisë kanë qenë të pranishme në disa zona. Më rëndë të dëmtuara raportohen kulturat e mbjella me luleshtrydhe në Qarkun e Fierit.

Në Njësinë Administrative Frakull, në 52 hektarë të mbjella me luleshtrydhe, ka dëmtime të konsiderueshme prodhimi (të frutave të pavjela, squllosje të frutës, dëmtim dhe abortim të lulerisë). Në gjithë sipërfaqen e mbjellë në sera me këtë kulturë, deri tani nuk ka dëmtim të bimëve, por vetëm të prodhimit të gatshëm. Po kështu ka dëmtime të prodhimit të pavjelë të domates në sera në 3 ha ose rreth 1000 kv.

Në Njësinë Administrative Cakran, në 3 ha të mbjella me luleshtrydhe, ka dëmtime të konsiderueshme të prodhimit të pavjelë dhe të lulerive. Ka dëmtim të prodhimit të pavjelë të domates në sera në 0.2 ha, ose 200 kv.

12 janar 2017 (gazeta-Shqip.com)/Monitor