Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka folur për mediat kosovare, për atë që ka ndodhur në Colmar të Francës, ku është mbajtur seanca që e la të lirë me kusht ish-kryeministrin e Kosovës.


“Ne kemi paraqitur qëndrimet tona për pavlefshmërinë e fletë-ndalimit dhe lirimit me kusht. Nuk u shqyrtua pavlefshmëria për shkak se pala serbe nuk ka paraqitu akoma argumentet veta, por u pranua kërkesa jonë për lirim me kusht. E dhashë mendimin tim se ky është një abuzim në emër të ligjit nga Serbia”, ka thënë Haradinaj, teksa ka konfirmuar se fjalën e tij në Gjykatë e ka thënë në frëngjisht.


Haradinaj ka treguar se ka udhëtuar në Gjermani, Austri, Zvicër, e vende të tjera të BE-së.


“Të gjitha e kanë anuluar dhe nuk kam pritur që Franca të veprojë kështu. Ishte befasi dhe ky veprim është joligjor dhe i padrejtë. Kam qenë në Francë në shumë vende të BE-së nuk ka ndodh ndalimi. Më është shpjeguar se ka ndodhur një riaktivizim në INTERPOL me kërkesë të Serbisë, por ky ndalim është i kërkuar nga Serbia që nga 2004, por këto argumente janë shqyrtuar nga Tribunali”, ka thënë Haradinaj.


Kur ka folur për deklaratën se “Serbia do ta ndjekë sa të jetë gjallë”, Haradinaj ka thënë: “Serbia mundet të më ndjekë, po Serbia duhet ta dijë që këta që janë sot në pushtet në Serbi janë hyzmeqarë. Ivica Daçiç është hyzmeqar i Millosheviçit, ja ka mbajt çadrën, Vuçiç dhe Nikoliç i kanë ndenjur gatitur Sheshelit. Unë s’kam mbajt çadra por i kam mbajt veglat e mija kundër tyre. Njëjtë sa të më ndjekin, as unë kurrë s’do t’i nënshtrohem Serbisë e as shqiptarët nuk do t’i dorëzohen serbëve. Duhet të mësohen të jetojnë me neve, si janë mësuar të jetojnë me kroatët, që ju kanë dhënë leksion të mirë”, ka thënë Haradinaj, përcjell


13 janar 2017 (gazeta-Shqip.com)