Partizani fitoi 2-1 me përmbysje miqësoren e dytë në Antalia këtë herë përballë skuadrës azere Qabala, me stafin teknik që mori përgjigje pozitive nga të grumbulluarit në fazën përgatitore, veçanërisht nga afrimet e Janarit. Caleb Ekuban në fund të pjesës së parë dhe një autogol i Yamalov erdhën si kundërpërgjigjje ndaj finalizimit të Kvekveskirit. Sulejman Starova aktivizoi të gjithë futbollistët që kishte në dispozicion, duke i bërë vend në pjesën e dytë malazezit Cetkovic vetëm 24 orë pasi kishte firmosur me Partizanin. Të kuqtë e nisën sfidën me Hoxhën në portë, Ibrahimi, Krasniqi, Atanda e Kalari në mbrojtje, Batha, Ramadani dhe Vila në mesfushë, ndërsa Bardhi dhe Fili në ndihmë të sulmuesit të avancuar Ekuban. Pas një starti të qetë, ku skuadrat studiuan lojën e njëra-tjetrës ishte pikërisht maja e sulmit të të kuqve Ekuban, që në të 25-ën pati një mundësi të mirë për të shënuar, por nuk ishte i saktë sa duhet në finalizim.


 


Cilësia e Qabalas, që pjesëmarrëse e rregullt në sezonet e fundit në fazën e grupeve të Europa Leages doli në pah në minutën e 43, kur Mika Kvekveskiri realizoi nga një goditje standarde. Përgjigjja e Partizanit ishte e menjëhershme. Jurgen Bardhi vetëm një minutë më pas nxori të lirë Caleb Ekuban, i cili ballë për ballë portierit, realizoi shumë shpejt golin e barazimit. Pjesa e dytë nis me tre ndërrime për të kuqtë, Malota, Mazrekaj dhe Fejzullahi që lënë në dhomat e zhveshjes Atandën, Ibrahimin dhe Bardhin. Në të 55-ën Ekuban tenton portën me kokë, por topi përfundon mbi tra. Starova vijon me zëvendësimet e tjera, Cetkovic i sapo mbërritur në Antalia merr vendin e Bathës, ndërsa në portë Xhika zëvendëson Hoxhën. Pak minuta më vonë Boniface ul në stol Caleb Ekuban. Në minutën e 63-të Realdo Fili depërton në thellësi të zonës, por në momentin e fundit portieri i Gabalas i mohon golin. Starova kryen zëvendësimet e fundit në mbrojtje, me Markun e Hakajn, në nxjerrin nga loja Krasniqin dhe Kalarin.


 


Qabala vë në provë cilësitë e Xhikës në minutën e 75-të. Goditja e fortë e Huseynov gjen reagimin e shpejtë të portierit të dytë të të kuqve. Zëvendësimi i radhës i Partizanit i përket fazës sulmuese. Fili del nga loja për t’i bërë vend Jaupajt, që në të 80 asistohet nga Boniface dhe godet portën, por është në pozicion portieri. Lëvizja e fundit e Starovës ishte aktivizimi i Imailajt për Vilën, me Ramadanin që mbeti i vetmi lojtar që luajti për 90 minuta. Lëvizje e bukur e Cetkovic që pason për Jaupajn nga e djathta, sulmuesi i ri i Partizanit godet prirët me portën, pret portieri, por Yamalov ndaj të cilit ushtronte presion Boniface, e devijon topin në rrjetë duke shënuar autogol. Pak para se të përfundonte koha e rregullt Cetkovic provoi nga distanca, por goditja e tij ishte qendrore, ndërsa Xhika në minutat fundit tregojë se është i denjë madje edhe për portier i parë. 2-1 për Partizanin përfundoi kjo miqësore, rezultat që rrit optimizmin në kampin e kuq para nisjes së pjesës së dytë të sezonit.


 


13 janar 2017 (gazeta-Shqip.com)