Barcelona rikthehet te fitorja në La Liga dhe këtë e bën me goleadë ndaj Las Palmasit, në “Camp Nou”. 5-0 ishte rezultati përfundimtar i këtij takimi, që u dominua në çdo aspekt nga ekipi i Luis Emriques. Nuk mund të mungonte në listën e golashënuesve të Barçës Lionel Messi, i cili gjeti rrugën e rrjetës për herë të shtatë në gjashtë ndeshjet e fundit mes kampionatit dhe Kupës. Luiz Suarez zhbllokoi takimin që në minutën e 14-të, pas pasimit të Andre Gomes nga e djathta.


Gjatë  pjesës së parë blaugranat shpërdoruan disa raste të pastra, ku më flagranti ishte ai i kohës shtesë së pjesës së parë, teksa Messi u ndal nga portieri Varas.


Gjithsesi argjentinasi nuk mund të gabonte në të 52-ën, duke shfrytëzuar pasigurinë e portierit, që nuk kontrolloi si duhet harkimin e Rafinas.


Vetëm 5 minuta më vonë Luis Suarez i krijoi vetës hapësira për të goditur brenda zonës, me topin që përfundoi në rrjetë. Në të 59-ën pas një kundërsulmi të shpejtë të Barcelonës Suarez gjendet përballë Varas, i cili i mohon golin uruguajanit, por nuk mund të bënte asgjë pas goditjes së Arda Turan që ndoqi aksionin.


Në të 80-ën ishte radha e Aleix Vidal, që shfrytëzoi një asist të Paco Alcacer për golin e 5-0.Barca me këtë sukses ngjitet në vendin e dytë me 2 pikë më pak se Reali dhe përfiton nga përplasja mes Sevillas dhe Los Blancos në “Sanchez Pizjuan”.


14 janar 2017 (gazeta-Shqip.com)