Në listën e personave që kanë fituar lirinë falë amnistisë ndodhet edhe ish-prokurori Haxhi Giu, i dënuar me 2.4 vjet burg, për korrupsion pasiv dhe shpërdorim. Giu ishte duke e vuajtur dënimin në burgun e Peqinit.
Atij i kishin mbetur për të vuajtur 9 muaj e 17 ditë burg. Por vetëm pak orë pasi ai ka lënë qelinë e burgut të Peqinit është kthyer sërish nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgut .
Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve Miklovan Kopani, tha se ish prokurori është thirrur vetëm për të sqaruar disa pika në dosjen e tij dhe më pas është lënë i lirë.
Ish- prokurori i Krujës dyshohet se i premtoi një të pandehuri që do t’i ulte në minimum vendimin, kundrejt 29 mijë eurove. Por, Giu u “tradhtua nga zyra e Prokurorit të Përgjithshëm, e cila shfuqizoi një vendim të prokurorit të çështjes “Hajdari”. Pas shqyrtimit gjyqësor me gjykim të shkurtuar, u vendos dënimi i tij, ndërsa mësohet se prokuroria kishte kërkuar katër vite burg. Giu u arrestua më 2 dhjetor të një viti më parë me akuzën se kishte marrë ryshfet, ndërsa ai pranoi aktet që janë në dosje duke përfituar nga gjykimi i shkurtuar.
Në fund të vitit 2015, prokuroria ishte vënë në ndjekje të Aleks Shporit, pasi kishte disa informacione se merrej me trafik narkotikësh ashtu si dhe i vëllai Paulini, ndodhej në proces gjyqësor në Gjykatën e Krujës. Aleksit iu gjetën një sasi rreth 29 mijë euro në automjet. Agjentët e policisë e kanë pyetur për këtë shumë, ku e ka burimin apo ku do të shkonin. Aleksi u është përgjigjur se “këto para do të shkonin për një prokuror. Ai quhet Haxhi Giu dhe punon në Krujë. Më premtoi se do të lironte vëllain tim të arrestuar, Paulinin. Bëri disa veprime, por në fund gjykata e dënoi me tetë vjet burg. Këto para ia mora mbrapsht”. Kaq ka mjaftuar që policia të vinte në “lojë” Prokurorinë e Krimeve të Rënda, e cila prej pak muajsh heton edhe veprën penale të korrupsionit të zyrtarëve të lartë, mes të cilëve edhe prokurorët. Prokuroria faktoi disa takime mes Shporit dhe Giut, para dhe pas dhënies së vendimit.
14 janar 2017 (gazeta-Shqip.com)