Faza e tretë e Kategorisë Superiore do të nisë në datën 28 janar. Federata Shqiptare e Futbollit nëpërmjet një komunikate për shtyp bëri të ditur se vendosi të shtyjë me 1 javë rifillimin e kampionatit për shkak të kushteve jo të mira të motit dhe temperaturave të ulëta që mbërthyen të gjithë vendin.


Federata Shqiptare e Futbollit i kishte filluar prej ditësh bisedimet me drejtuesit e 10 klubeve të Kategorisë Superiore duke arritur edhe konsensusin e plotë me ta.


Java e 19 ishte planifikuar për t’u zhvilluar në datën 21 Janar, por gjendja e vështirë e terreneve dhe moti i keq i detyroi klubet që nëpërmjet një kërkese zyrtare, të kërkonin shtyrjen dhe tashmë 10 klubet e Kategorisë Superiore, përfshirë edhe 6 skuadrat që aktualisht po stërviten në Antalya, zyrtarisht do të zbresin në fushë në datën 28 Janar.


Sipas informacioneve që Supersport ka arritur të sigurojë, klubet po mendojnë të shtojnë në kalendarin përgatitor edhe nga një ndeshje miqësore si dhe zgjatjen e programit stërvitor në Antalya. Gjatë ditëve të fundit, moti i keq e rëndoi së tepërmi gjendjen e terreneve sportive, përfshirë edhe fushat e stadiumeve ku do të luheshin ndeshjet e javës së 19 dhe shtyrja u jep mundësi klubeve të ruajnë cilësinë e terreneve sportive.


14 janar 2017 (gazeta-Shqip.com)