Kreu i Kuvendit, Ilir Meta në një intervistë televizive është shprehur se LSI ende nuk e ka vendosur zyrtarisht lidhur me çështjen e koalicionit për zgjedhjet e qershorit, por ka konfirmuar se nuk do të bëjë koalicioni me Partinë Demokratike.
I pyetur lidhur me mendimin që kishte për qëndrimin e prerë të kreut të PD, Lulzim Basha se nuk do të bënte kurrë koalicion me LSI, Meta u shpreh se në këtë pikë është në një mendje me kreun e PD, se LSI nuk do të bëjë kurrë koalicion me PD.
“Besoj se do të ketë një konsensus edhe në LSI, është që të respektojmë konsensusin me z. Basha, për të mos pasur një koalicion me Partinë Demokratike. Për të tjerat ka kohë. Aktualisht, ka gjëra më të rëndësishme”, – u shpreh kryeparlamentari.
Duke iu referuar koalicion paszgjedhor që LSI bëri me PD e Sali Berishës në vitin 2009, Meta u shpreh se ende mendon dhe është i bindur se ai koalicion ishte i drejtë dhe gjëja më e mirë që mund të bëhej për të mos lejuar zhytjen e vendit në një krizë të madhe politike.
I pyetur mbi deklaratat e ultimative të PDIU-së ndaj LSI, Meta pati këtë koment: “Nuk dëshiroj të komentoj as reagimet e deputetëve të partive të caktuara apo qoftë edhe të deputetëve apo të ministrave të caktuar të LSI-së, që ndonjëherë mund të mos jenë korrekte nga ana politike. Kështu që thjesht unë do të vë buzën në gaz”.
17 janar 2017 (gazeta-Shqip.com)