Në të gjithë vendin, akset kombëtare janë plotësisht të qarkullueshme dhe vetëm në ndonjë segment është i nevojshëm përdorimi i zinxhirëve. Situata problematike është në zonat e thella malore në Shkodër, Kukës, Dibër. Punonjësit e emergjencave, Policia e Shtetit dhe gjithë strukturat e angazhuara për përballimin e situatës, ndodhen në terren për t’iu gjendur pranë qytetarëve e mjeteve në vështirësi. Ditën e sotme Emergjencat Civile kanë planifikuar shpërndarjen e ndihmave me helikopterët dhe mjetet e Forcave të Armatosura për në disa zona në veri dhe verilindje të vendit, por gjithçka do të varet nga kushtet atmosferike në këto zona. Situata në qarqe paraqitet:
Qarku Shkodër
Në qarkun e Shkodrës i vetmi aks rural i bllokuar është Qafë Thore – Theth, po punohet për hapjen e tij. Akset rrugore Tamarë – Vermosh, Hadroj – Qafë- Benë, Fushë Arrëz – Qafë Mali – Fierzë, Fushë Arrëz – Qafë Shllak, Laç Vau Dejës – Qafë Çelë – Pukë, Qafë Çelë – Pukë – Fushë Arrëz, Bardhet – Iballë, Shkodër – Breg Lumi – Theth, janë të qarkullueshme me zinxhirë.
Qarku Kukës
Në qarkun e Kukësit të gjitha akset kombëtare qarkullohen pa zinxhirë. Aksi rrugor Ura e Zapodit-Ura e Shtrezës qarkullohet me zinxhirë. Vijojnë të jenë të bllokuara disa fshatra dhe Njësi Administrative Arrën, Zapod, si dhe fshatrat Turaj, Shtrezë, Nimçe, Curraj i Epërm, Salcë, Palcë Treshnjevë, Papaj, Gegaj, Lëkurtaj e Selimaj.
Qarku Dibër
Të gjitha akset rrugore kombëtare janë të hapura, më përjashtim të aksit rruga nacionale – Lurë e cila vazhdon të jetë e bllokuar. Gjithashtu të bllokuara janë dhe rrugët lidhëse të fshatrave Lunar, Lukan, Kacni, për në qendër të Njësive Administrative Selishtë. Akset rrugore janë të qarkullueshme me zinxhirë Kuben–Vasie, Ura e Qytezës–Zerqan dhe Ura e Çerenecit–Steblevë.
Qarku Lezhë
Në qarkun e Lezhës të bllokuara janë vetëm disa fshatra në Njësitë Administrative Orosh, Fan dhe në Nënshejt – Lajthizë të bashkisë Mirditë.
Qarku Gjirokastër
Të gjitha akset kombëtare janë të qarkullueshme. Të bllokuara janë Njësitë Administrative: Kurvelesh; Zagori, Buz dhe fshatrat Selckë, Selckë e Vogël dhe Shalë.
Qarku Korçë
Në qarkun e Korçës të gjitha rrugët kombëtare dhe rurale janë të qarkullueshme. Vetëm akset rrugore Korçë – Voskopojë, Korçë – Boboshticë – Dardhë, Korçë – Ersekë, Ersekë – Leskovik janë të qarkullueshëm me zinxhirë. Nga qarqet e tjera të vendit nuk raportohet për probleme.
18 janar 2017 (gazeta-Shqip.com)