Qeveria britanike nuk mund të nisë procesin e Brexit pa miratimin dhe konsultimin me parlamentin. Ky është vendimi i marrë sot nga Gjykata Supreme në Britaninë e Madhe, duke e bllokuar qeverinë në aktivizimin e nenit 50 të Traktatit të Lisbonës që do të hapë fillimin e negociatave për dalje nga BE-ja.


“Nëse veprohet ndryshe do të përbënte një shkelje të parimeve kushtetuese”, deklaroi gjykatësi Neuberger, duke theksuar se tetë gjykatës nga 11 kishin votuar në favor të konsultimit të Parlamentit.


Vendimi i Gjykatës do të thotë se kryeministrja Theresa May nuk mund të fillojë bisedimet me BE-në deri kur deputetët dhe kolegët e saj në parlament të japin mbështetjen e tyre.


24 janar 2017 (gazeta-Shqip.com)