(Në kuadër të muajit janar – Muaji Skënderbej)
Nga: Besim ZYMBERI

Autori i shkrimit, Besim Zymberi
-Shqip, ore, shqip!,-do t’i thërriste Stilian kapedani, priftit grek që mbante meshë në gjuhën greke, në kishën ortodokse të Ibrik Tepesë, në Edrene.
Stilian Kapedani, ishte babai i Fan Nolit. E quanin kapedan, për shkak të trimërisë dhe patriotizmit.
Por, sipas kujtimeve të Nolit, Stilian kapedani e mbante për hero Napoleon Bonapartin. Madje, kishte lexuar për Bonapartin çdo gjë që i kishte rënë në dorë në greqisht e turqisht.
Nolin e vogël shumë inteligjent, Stilian Kapedani shpeshherë e detyronte të lexonte gjëra për Bonapartin dhe, kënaqej shumë kur i vogli jepte përgjigje inteligjente rreth asaj që lexonte.
-Kur ia shpjegoja fatin e Napoleonit në betejën e Vaterlosë, babai im qante,-kujtonte Noli.
Si fëmijë, Noli ishte shumë shëndetlig. Madje, kur i kishte mbushur tetë vjet, e kishin kujtuar për të vdekur dhe i kishin hapur edhe varrin. Në çastin e fundit, ishte nëna që kishte vërejtur një përpjekje të tij për t’i lëvizur qepallëzat dhe e kishte shpëtuar pa e futur në varr për së gjalli Nolin e vogël! Noli i detyrohej shumë nënës gjatë gjithë jetës!
Si fëmijë shëndetlig, edhe në vitet e para të fëmijërisë, Nolin nuk e merrnin në punë fushe. Ai rrinte kah shtëpia. Fati e kishte dashur që ai të kishte një kushëri ulok. Ndaj, një pjesë të madhe të kohës e kalonte me kushëririn, i cili lexonte shumë libra. Kushëriri quhej, apo ka mbetur në histori me emrin-Xhaxhi Tasi! Xhaxhi Tasi, përmendet vetëm në një libër shqip: në “Autobiografinë” e Nolit.
Xhaxhi Tasit, i pëlqente të bisedonte me Nolin e Vogël. Sepse, i vogli ishte shumë inteligjent dhe kureshtar për dijen.
Një ditë, Xhaxhi Tasi i kishte dhënë Nolit për lexim Biblën, e përkthyer në shqip prej Konstantin Kristoforidhit. Kishte mbetur i mahnitur me shpjegimet e Nolit të vogël pasi e kishte lexuar librin!
Por, Xhaxhi Tasi nuk u ndal me kaq. I kishte dhënë për ta lexuar edhe një histori të Skënderbeut. Prapë kishte mbetur i mahnitur me thellësinë e Nolit në shpjegimet. Një ditë e mori afër vetes Nolin e vogël. I dha këtë këshillë, e cila Nolin e vogël, do ta bënte njeriun e madh të historisë, apo do ta bënte ndër njerëzit më të mëdhenj të shekujve të qytetërimit shqiptar:
“Babai yt është trim dhe e do shumë atdheun e vet. Por, siç e di edhe ti, ai ka për hero Napoleonin. Po, kush ishte Napoleon Bonaparti…? Ishte një francez, që bëri gjithçka në të mirë të Francës, me një ushtri që nuk e kishte krijuar vetë, por e kishte trashëguar!
Ndërsa, Skënderbeu, ishte një shqiptar që bëri gjithçka për Shqipërinë, me një ushtri që e kishte krijuar vetë e nuk e kishte trashëguar në nivel të tillë!
Prandaj ti (Nol), në të ardhmen, sa herë të jesh në dilemë a para një vendimi të vështirë, të mos e pyesësh veten se ç’do të bënte bënte Napoleoni?
Ti duhet ta pyesësh veten se çfarë do të bënte Skënderbeu dhe e ardhmja jote do të jetë e ndritur! Sepse Skënderbeu, nuk kthehet prapa dhe nuk përulet para asnjë lloj sfide!”
Kjo ishte këshilla që Xhaxhi Tasi i dha Nolit të vogël. Dhe, Noli i madh kujton që, megjithë jetën shumë të vështirë, nuk u kthye kurrë prapa, sepse dëgjoi me përkushtim e devotshmëri këshillën e Xhaxhi Tasit. Sa herë ishte gjendur në dilema të vështira, Noli i kishte shtruar pyetjen vetes: ç’do të kishte bërë Skënderbeu në momente të tilla? Përgjigja, natyrisht, ishte që ai nuk do të përulej dhe nuk do të kthehej prapa!
Noli i madh, nga një fëmijë shëndetlig e gati i varrosur për së gjalli, rroi mbi 80 vjet. Na la libra të shkëlqyer dhe një veprimtari të mahnitshme atdhetare! E tëra, falë motivimit të marrë nga Xhaxhi Tasi dhe duke qenë gjithnjë i frymëzuar nga pathyeshmëria e Skënderbeut, të cilit i kushtoi edhe njërën prej veprave më të mira të tij!
Por, më e rëndësishmja është që na la edhe profilin e filozofit, pa mbiemër, që në histori do të mbetet vetëm si-Xhaxhi Tasi!
Ky emër, nuk mësohet në librat e shkollës dhe ndoshta asnjë rrugë në trojet shqiptare nuk e mban emrin e tij. Por, është xhaxhi Tasi ai që me një fjali të vetme, të përjetësuar aq sinqerisht nga Noli, përkufizoi në mënyrën më dinjitoze dhe më thelbësore, vetë rrugën të cilën duhet ta ndjekin shqiptarët në rrugën e përplotësimit të identitetit e motivimit të tyre!
Në fund shtroj prapë pyetjen: një margaritar i tillë edukativ, nuk e bën Xhaxhi Tasin filozofin, ose së paku, njërin prej filozofëve më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave…?
(Vërejtje: Të dhënat për këtë shkrim janë marrë nga Autobiografia e Nolit!)
26 janar 2017 (gazeta-Shqip.com)