Ministria e Shëndetësisë e Brazilit ka porositur 11.5 milionë doza të vaksinës për ethet e verdha. Sëmundja ka shënuar shpërthimin më të madh në këtë vend qysh në vitin 2000. Shtatëdhjetë raste, përfshirë 40 vdekje, janë konfirmuar, ndërkohë që mbi 300 raste janë duke u hetuar.
Shumica e të prekurve janë në zonat rurale të shtetit Minas Gerais. Ethet e verdha mund të jenë potencialisht fatale dhe transmetohen nga mushkonjat. Simptomat përfshijnë ethe, dhimbje dhe të vjella. Sëmundja mund të shkaktojë dështimin e veshkave dhe të mëlçisë, si dhe gjakderdhje. Guvernatori i Minas Gerais ka shpallur 180 ditë të gjendjes së jashtëzakonshme.
Ethet e verdha janë një sëmundje që mund të rezultojë fatale dhe transmetohet nga mushkonjat. Shumica e territorit të Brazilit konsiderohet si zonë me rrezik të lartë nga ethet e verdha, megjithëse vitet e fundit janë shfaqur shumë pak raste. Guvernatori i Minas Gerais, i përballur me epideminë, shpalli gjendjen e emergjencës në këtë rajon.
Mediat braziliane thonë se tre raste janë konfirmuar edhe në Sao Paulo, në shtetin më të populluar në Brazil, si edhe në Espiritu Santo dhe Bahia, që të dyja në kufi me Minas Gerais. Sipas autoriteteve, 5 milionë doza të vaksinës janë dërguar në 5 shtetet më problematike, ndërsa 6 milionë të tjera do të mbërrijnë së shpejti në vend.
Ekspertët thonë se nuk është e qartë çfarë e shkaktoi shpërthimin e sëmundjes dhe paralajmërojnë se pa u zbuluar shkaku, vaksinat janë vetëm një masë modeste parandaluese, ndërsa sëmundja rrezikon të përhapet në zonat urbane.
26 janar 2017 (gazeta-Shqip.com)