Policia e Tiranës, në kuadër të operacionit të koduar ‘January’ ka sekuestruar një sasi prej 1 kg lëndë narkotike të dyshuar si kokainë si dhe ka arrestuar 2 persona e ka shpallur në kërkim 1 tjetër.


Burime nga policia e kryeqytetit bëjnë me dije se janë arrestuar shtetasit Gjergji Gjinaj, 49 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë për “Prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike”; Ismail Alushi, 53 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë për “Falsifikim të dokumenteve”.


Gjithashtu është shpallur në kërkim shtetasi: A. K., 41 vjeç, banues në Tiranë.


“Shtetasit e lartë përmendur, dyshohen se në bashkëpunim me njëri tjetrin kryenin aktivitetin kriminal të shitjes së lëndëve narkotike, te llojit Kokainë dhe Heroinë, në zona të ndryshme të Tiranës. Lëndën narkotike e siguronin tek shtetasi Ismail Allushi”, sqaron policia.


Sasia me lëndë të dyshuar narkotike të llojit kokainë, e cila rezultoi me peshë 978 gramë u gjet në automjetin tip Fiat me drejtues Gjergji Gjinaj.


Ndërkohë nga kontrolli i  ushtruar kontroll në banesën e shtetasit Ismail Allushi është konstatuar një dozë e dyshuar lëndë narkotike e llojit heroinë.


Gjithashtu nga kontrolli i banesës së shtetasit Gjergji Gjinaj, është gjetur një sasi prej 12.5 gramë lëndë e dyshuar narkotike e llojit “Kokainë”, një peshore elektronike si dhe shuma monetare prej  6750 euro.


Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar: 990 gramë lëndë e dyshuar narkotike e llojit Kokainë; 0,6 gramë lëndë e dyshuar narkotike e llojit heroinë; 1 pushkë sportive; 12 aparate celularë të markave të ndryshme; 2 automjete të markave të ndryshme.


Materialet procedurale iu kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprën penale “Prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike, kryer në bashkëpunim”.



26 janar 2017 (gazeta-Shqip.com)