Opinion GOZHDA E RAMSTRADINIT NË MURIN E MITROVICËS!

GOZHDA E RAMSTRADINIT NË MURIN E MITROVICËS!

314
0
SHPËRNDAJE
Citroen Oferta 2

Enver BYTYÇI

Kryeministri Rama dje u kthye nga Prishtina. Iku prej Tirane me qëllim që të mos ishte i pranishëm në furtunën e saj të pardjeshme, kur plasi konfliktit Lu-Llalla dhe u mblodh Këshilli i Sigurisë Kombëtare. Po edhe se iku, aty ku shkoi kreu një mision. Misioni i Ramës ishte i disafishtë: Të tallej në studion e Baton Haxhisë me Hashim Thaçin dhe shqiptarët e Kosovës. Të hiqej si patriot i madh në momëntin kur ngjarjet nuk u zhvilluan sipas skenarit të bashkërenduar me Vuçiçin dhe të promovuar përmes Rexhepit të Qosjes, pasiqë provokimet e Beogradit për të shtënë në dorë veriun dështuan. Dhe, të kujdesej që autoritetet e Prishtinës të mos “ia merrnin fytyrën” kolegut e mikut të tij, Aleksandër Vuçiç.

Ky misioni i fundit nuk lidhet vetëm më intervistën te Batoni, ku kryeministri ynë dha mesazhin se Sandri i Beogradit nuk shkon më te selia e partisë radikale, së cilës i përkiste, pasi që ai “ka ndryshuar”, “është reformuar” dhe si i tillë duhet respektuar. Ky misioni i fundit lidhet edhe me atë që Rama la pas. Krerët e institucioneve me ndërmjetësim të SHBA-së she BE-së nënshkruan një marrëveshje për të ashtuquajturin “Muri I Mitrovicës”. Rama foli për këtë mur më shumë se një muaji pasi ai u ngrit, pikërisht në studion e Batonit. E gjithashtu vetëm pasi homologu i tij serb lajmëroi nga Rashka dështimin e tij në projektin e ndarjes së Kosovës” për shkak të presionit të SHBA-së dhe BE-së.

Këtë moment të vështrë të mikut të tij në Beograd Rama deshi ta zbusë, ta kthejë në një fitore në luftën e brendshme politike në Serbi, gjithnjë në favor të Vuçiç. Sapo zoti Rama ktheu shpinën nga Prishtina aty filluan bisedimet për Murin e Mitrovicës, të cilat përfundyan në mëngjesin e hershëm të ditës së sotme me një marrëveshje. Ende nuk është publikuar se çfarë përmban kjo marrëveshje. Në Beograd duken të kënaqur me të. Thuhet se është vendosur për rivitalizimin e urës dhe rrugës së këmbësorëve, çka do të thotë ndonjë modifikim i murit në këtë funksion dhe jo prishja e tij. A shkoi Rama në Prishtinë që ta bindë Hashim Thaçin për një kompromis të tillë me palën serbe?! Të gjitha shenjat e sjelljet e kryeministrit shqiptar në raport me mikun e tij në Beograd të çojnë në përfundimin se zoti Rama pati si mision të fshehtë “nguljen e gozhgës së Nastradinit” në murin e Mitrovicës. Ai kreu dhe kësaj here në Prishtinë misionin e ndërmjetësuesit midis Aleksandër Vuçiç dhe Hashim Thaçit.

Gozhta e Nastradinit e ka emrin “Rivitalizim”, dmth përshtatje, mos heqje e murit, arrnimi i tij, që të duket si shtetitore, por jo si mur. Me standardin e Ramës kjo do të thotë një pamje virtuale, e cila u serviret shqiptarëve si mashtrim kundrejt një realiteti faktik, në të cilin muri është pjesë e skemës dhe do të shërbejë si simboli i ndarjes. Gozhda mbetet ende aty, kriza nuk zgjidhet. Nëse një ditë Vuçiç do të gjendet në sfidë, për ta përballuar atë do ta përdorë përsëri murin e “rivitalizuar”. Ndërkombëtarët kanë rënë dakord, sepse për momentin u duhet qetësia e stabiliteti. Më vonë, të shohin e të bëjnë.

Edhe atëherë kur duket se gjithçka ka dështuar, kryeministri ynë nuk tërhiqet në projeksionet e tij prej shkatërruesi. Dhe për ta mbuluar qëllimin e misionit të tij në publik shpalli se “Asnjë centimetër territor nuk lejojmë t’i shkëputet Kosovës”. I bindur se njerëzit ia vlerësojnë llafet e retotikën dhe jo veprat, ai ka ditur gjithnjë të maskojë aktet konkrete të shkatërrimit të shtetësisë së Kosovës. Këtë bëri dhe gjatë të enjtes e të premtes së kaluar në Prishtinë. Ta shohim se sa ka ndikuar këshilla e tij për Hashim Thaçin dhe sa e zgjidh krizën marrëveshja e nënshkruar në orën 02.30 minuta të mëngjesit të ditës së sotme! Vetëm se një gjë është e qartë: Kudo që kryeministri ynë ve këmbën, brenda ose jashtë Shqipërisë, do të vendosë një kallëp tritol në dëm të interesave të shqiptarëve.

7 shkurt 2017 (gazeta-Shqip.com0