Opinion UDHËKRYQI SHQIPTARO-AMERIKAN I DREJTËSISË

UDHËKRYQI SHQIPTARO-AMERIKAN I DREJTËSISË

392
0
SHPËRNDAJE
Citroen Oferta 2

Elton Myftiu

Kam frikë se historia po përsëritet! Në shumëçka, 2017-ta i ngjan 1997-së, kohë me personazhe pikante që, të dehur nga dashuria për pushtetin personal, u futën në një konflikt pa krye me ambasadat e huaja, me theks të veçantë lidhur me atë amerikane. Të gjithë e dimë se çfarë ndodhi më pas dhe çfarë fature pagoi Shqipëria, ndërkaq kam frikë se edhe kësaj here, në përpjekjen aktuale për të projektuar një konflikt të ri me përfaqësues të huaj, kësaj here Ambasadorin Lu, kemi përfshirjen po të njëjtit mjeshtër kukullash që, po njësoj si para 20 vjetësh, tërheq fijet nga prapa kuintave.

Them përpjekje, pasi që realisht nuk ka konflikt mes përfaqësuesve të gjyqësisë shqiptare dhe Ambasadës së SHBA-së! Fjala “konflikt” nënkupton një arenë ku ndodh përplasja e së paku dy lojtarëve të barabartë, ndërkaq në këtë rast kemi të bëjmë thjesht me përcaktimin e qartë të një vije të kuqe, skicuar nga shteti që është garantues i sigurisë së shtetit shqiptar dhe sponsori kryesor i kthimit të Shqipërisë në familjen perëndimore. Sado që të çirremi se jemi shtet i pavarur, se ambasadori Lu nuk mund ta bëjë guvernatorin e Shqipërisë, ta akuzojmë për agjit-prop a çfarëdo gjëje që mund të na shkojë në mendje, SHBA do të vazhdojë të mbetet garantuesi i qenësisë shqiptare brenda familjes perëndimore. Dhe kjo gjë ka tagrin e vet.

Segmente të politikës shqiptare që, kryekëput për interesa të veta të ngushta, po qëndrojnë prapa prokurorit Llalla dhe disa prej kolegëve të tij, po i bien borisë se ambasadori Lu ka agjendë personale dhe se DASH nuk qëndron prapa tij. Nuk u mjafton as deklaratat e DASH në mbështetje të Ambasadorit (zëdhënësi i Departamentit të Shtetit është shprehur qartë “Ambasadori Lu dhe ekipi i tij kanë punuar në partneritet me autoritetet shqiptare dhe me shoqërinë civile për të realizuar politikat dhe synimet e Shteteve të Bashkuara. Departamenti i Shtetit ka besim të plotë tek ambasada dhe ambasadori në Tiranë”) por kërkojnë që DASH të shprehet me gjuhën politike të Tiranës dhe të deklarohet nëse Lu përfaqëson veten apo shtetin amerikan. Është marrëzi që artikulimin publik të Ambasadorit ta ngjyrosim me nuanca të absurdit tonë politik. Kjo tendencë nuk mund të cilësohet ndryshe pos si rrjedhje serioze nga logjika e mendjes së shëndoshë, por edhe një kopjim i turpshëm i qëndrimit të Gruevskit në Maqedoni që, para disa ditësh, akuzoi ambasadën amerikane në Shkup për qëndrime personale dhe jo zyrtare të DASH. Edhe për atë rast DASH lëshoi një deklaratë të ngjashme, në mbështetje të ambasadës në Shkup, një tjetër tregues se politika amerikane në rajon është konsistente, në mos edhe më e ashpër.

Edhe pse askush nga ne nuk mund të marrë përsipër të bëj rolin e interpretuesit të politikës amerikane, megjithatë nuk është aspak e rastësishme që Ambasada në Tiranë priti konfirmimin e Rex Tilerson si Sekretar të ri të Shtetit para se të bënte publik vendimin e marrë shumë më herët për anulimin e vizave për Prokurorin Llalla dhe të tjerët. Ishte pikërisht përvoja e hidhur nga Shkupi që e beri DASH-in dhe Lu-në më të kujdesshëm dhe që anulimi i vizave të bëhej në  koordinim me zyrtarizmin e udhëheqjes së re në DASH. Ndërkaq deklarata e mëvonshme e Ambasadorit Lu ku ai thotë: “Shtetet e Bashkuara kanë marrë një angazhim përpara popullit shqiptar për të monitoruar çdo hap të zbatimit të reformës në drejtësi. Asnjë përpjekje për të na frikësuar apo për të minuar procesin e reformës, nuk do të na pengojë që të sigurojmë që ajo do të jetë e suksesshme për të parandaluar manipulim politik dhe korrupsion në gjyqësor. Ky është një premtim”, ka një formulim shumë të zgjedhur fjalësh dhe tepër të ashpër. Është e qartë se kemi të bëjmë me një vijë të kuqe, ndërkaq çfarëdo akrobacie dhe interpretimi spekulativ në lidhje se në emër të kujt flet Ambasadori Lu është miopi politike e nxitur nga ndjenja e madhështisë që kanë disa veteranë tanë  të politikës të cilët mendojnë se mund të ndikojnë direkt te Trump dhe të rishkruajnë politikën amerikane. Mbase një gjë e tillë do të ishte e mundur sikur Amerika të ishte Shqipëri!

Mjeshtri apo mjeshtrit e kukullave, njëlloj si “Burationarët” e realitetit mafio-politik italian, aq të ngjashëm edhe me aktualitetin 26 vjeçar të tranzicionit shqiptar, që janë prodhuesit e vërtetë të krizave konstante për Shqipërinë, kanë rastin që ta shpëtojnë këtë vend nga fatura të reja të rënda që na presin nëse, si shtet, nuk pozicionohemi qartë në mbështetje të nevojës që Shqipëria të përmbushë pikë për pikë të gjitha kërkesat e aleatëve tanë. Këta projektues krizash thjesht duhet ta kuptojnë se Shqipëria nuk ka alternativë tjetër të shëndoshë pos që ta rikonfirmojë aleancën e vet me Amerikën, pikërisht duke i dhënë një rast Shqipërisë që më në fund të ketë një gjyqësor dhe prokurori të pavarur.

Nuk duhet të harrojmë se në kohën kur në rajon ka përsëri paradë armësh është pikërisht Amerika e cila është duke investuar në fuqizimin e ushtrisë sonë, një sinjal i qartë për të gjithë armiqtë tanë. Funksionimi i një demokracie të vërtetë në Shqipëri përbën një interes strategjik për Amerikën ndër të tjera edhe për t’iu kundërvënë propagandës së ashpër të shteteve instrumente të Rusisë si Greqia dhe Serbia, diplomacia e të cilave kohëve të fundit, në të gjitha kryeqendrat e botës, i referohet Shqipërisë si një shtet mafioz dhe një shtet i dështuar. Për Shqipërinë, nuk ka rrugë të mesme përveçse që të zgjedhë nëse është aleate e SHBA apo do që të luajë me kartën boshe të një pavarësie idilike. Kushdo që mendon ndryshe duhet të reflektojë mbi deklaratën e Ambasadores Haley, e përzgjedhur personalisht nga Trump që ta përfaqësojë atë në OKB, kur ajo thotë se SHBA do të mbajë shënim të veçantë për atë se kush e përkrah SHBA-në dhe kush është kundër politikës së saj.

Shihet qartë se ndryshe prej 1997, SHBA  nuk do të lejojë që për hir të interesit të një grupi njerëzish, qeveri e opozitë, të bëhet kurban Shqipëria. Fakti problematik i politikës shqiptare, që si duket Amerika nuk do ta tolerojë më, është se askush (qeveri dhe opozitë) nuk do që Shqipëria vërtet të ketë gjyqësor dhe polici të pavarur. Ata janë të interesuar që spektakli televiziv i akuzave dhe kundërakuzave, qeveri-opozitë, të vazhdojë në pafundësi dhe reforma e mirëfilltë të mos bëhet kurrë. Dhe pikërisht këtu fshihet detaji që ka trazuar të gjithë politikën shqiptare. Amerika, nëpërmjet Ambasadorit Lu, tha MJAFT. Anulimi i vizave për prokurorë e gjyqtarë është vetëm hapi i parë, ndërkaq i dyti shumë lehtë mund të përfshijë një listë të ngjashme me politikanë, një fakt ky shumë i njohur dhe shqetësues për politikanët e profilit të lartë. Ashtu siç ka thënë edhe Ambasadori Lu, angazhimi për një gjyqësor të pavarur, si parakusht themelor për funksionimin e demokracisë shqiptare, është një premtim amerikan, ndërkaq Amerika i mban premtimet. Por Amerika edhe i ruan dhe i mbron investimet e veta, prandaj edhe do te shpëlajë në sipërfaqe të gjithë mjeshtrit e kukullave, këta projektues permanent krizash që duan që ta mbajnë Shqipërinë përgjithnjë në tranzicion.