Opinion KUSH DO I MBROJË “JETIMËT” SHQIPTARË TË BRITANISË?

KUSH DO I MBROJË “JETIMËT” SHQIPTARË TË BRITANISË?

1787
0
SHPËRNDAJE

Shqiptarët kampionë të emigracionit në Britani, zv/Ministrja shqiptare kërkon riatdhesimin e menjëhershëm të tyre
Petrit Kuçana
Një ditë pasi në median Britanike shqiptarët “zunë” vendin e parë për ardhjet në Britani, zv/Ministrja e Brendshme “u gjend” në Londër dhe paska zhvilluar dy takime shumë të rëndësishme me zyrtarë të lartë të Ministrisë së Brendshme Britanike.
Sipas njoftimit për shtyp të ambasadës shqiptare në Londër; “Takimet u fokusuan në problemet që lidhen me intensifikimin e bashkëpunimit lidhur me luftën ndaj trafikimit dhe krimit të organizuar, gjatë të cilëve të dyja palët shprehën gatishmërinë dhe domosdoshmërinë e forcimit në të ardhmen të bashkëpunimit mes dy shteteve dhe agjencive ligj zbatuese në këto fusha. U theksua se Memorandumi i Bashkëpunimit i nënshkruar ndërmjet ministrave të brendshëm të të dy vendeve në datë 04.12.2014, Saimir Tahiri dhe Theresa May, përbën një bazë solide për institucionalizimin e këtij bashkëpunimi”.
Por çfarë ishte ky memorandum?
Një marrëveshje tejet e kritikuar ku “Ministri Tahiri kërkoi shkurtimin e procedurave për kërkimin e azilit”, kërkesë kjo që nuk është bërë as nga “më të paepurit kundër emigrantëve”.
Fakti se shqiptarët zënë vendin e parë në Britani, (vitin e kaluar 981 shqiptarë janë ndaluar në portet e Mbretërisë së Bashkuar) duhet të ishte shumë shqetësues për zyrtarët shqiptarë, por kalohet në heshtje.
Sa kanë kaluar? Çdo të bëhet me ta? Si jetojnë të sapoardhurit, kur në bazë ligjeve britanike nuk guxojnë qoftë as të strehohen, aq më tepër të punësohen?
Takimet me zyrtarët më të lartë britanikë janë padyshim të një rëndësie tejet të vecantë, por që fatkeqësisht përsëritet e njëjta odise, e dhimbshme në kufijtë e të turpshmes. Zyrtarët shqiptarë të niveleve më të larta të përfaqësimit, shkojnë në këto takime tërësisht të papërgatitur dhe “rezultatet” mbesin ato të deklaratave për kthimin sa më të shpejtë të shqiptarëve, madje për shkurtim procedurash…
Takimi i zv/Ministres së Brendshme Gjebrea vjen vetëm pas ditë kur Shpresa Programme, një organizatë e këtushme shqiptare, organizoi në një nga ambientet e parlamentit britanik me ndihmën e mikut të madh të shqiptarëve Stephen Timms, diskutime për fëmijët dhe gratë e trafikuara nga Shqipëria, ku ishin pjesëmarrës edhe njohës shumë të mirë të ligjit të emigracionit britanikë dhe shqiptarë.
Çfarë do të ndodhte që kjo zv/ministre të takohej më përpara me këta ekspertë të emigracionit britanikë apo shqiptarë, përpara se të takohej me zyrtarët më të lartë të Ministrisë së Brendshme Britanike?
Nuk i paska shkuar në mend ambasadorit Qirjako Qirko një gjë e tillë, aq më tepër që Shkëlqesia e Tij është edhe anëtar nderi i shoqatës së juristëve shqiptarë në Britani, ku janë padyshim ekspertët më të mirë të emigracionit?
Është tragjike ku mendon se nuk është hera e parë. Pak më parë ishte edhe ministri Klosi dhe e njëjta situatë.
Zyrtarët më të lartë shqiptarë, ministra apo zv/ministra vijnë në Britani dhe sillen me papërgjegjshmërinë më të madhe institucionale. A ka ndonjë ide zv.Ministrja e Brendshme për numrin e shqiptarëve të këtushëm? U mjaftua me marrëveshjen e Ministrit Tahiri që emigrantët jo vetëm duhet të kthehen por të kthehen sa më shpejt? Vërtet a kishte hapësira me të madha negocimi me autoritetet më të larta britanike?
Mbase zv/Ministrja e Brendshme si post politik që mban, mund t’i dijë shumë mirë zonat elektorale, e shumë e shumë gjëra të tjera, por di pak ose aspak për çështjet e emigracionit dhe kjo nuk e shqetëson që të zhvillojë takime të rëndësishme që të paktën të përgatitet.
A mund t’i sigurojë Ministria e Brendshme jetën e atyre njerëzve që janë realisht të ngujuar? Ka qenë ndonjëherë zv/Ministrja në ato zona, apo të paktën ka parë ndonjë kronikë televizive me të ngujuarit në Shqipëri?
U siguron jetën Ministria e Brendshme personave që janë në gjak? A ka në Shqipëri qendra mbrojtjeje për ta?
Lajmet e përditshme të kronikës së zezë në Shqipëri tregojnë të kundërtën…
U siguron jetën atyre grave që vërtet janë të trafikuara? Funksionojnë realisht qendrat e rehabilitimit? Ka qenë ndonjëherë zv/Ministrja atje?
Për t’u rikthyer tek problematika e emigracionit a kishte ndonjë informacion Zv/Ministrja e Brendshme për “bashkimet familjare”, pra që mijëra shqiptaro-britanikë janë të detyruar të sjellin gratë e tyre “në të zezën”? Patjetër që jo…
Çfarë do të ndodhte nëse zv/Ministrja do u kërkonte zyrtarëve më të lartë të Ministrisë së Brendshme Britanike që të shikonin “dhënien e vizave” të paktën për këtë kategori?
Të paktën të konsultoheshin me avokatët e këtushëm, ata që po përfaqësojnë çështje të tilla të ndjeshme në shkallët e gjykatave më të larta britanike.
Kush do i mbrojë këta shqiptarë, që ikën nga Shqiptaria apo qoftë edhe u trafikuan shteti shqiptar si detyrim kushtetues ndaj tyre?
Vazhdojmë të mbetemi jetimë…
Apo tashmë ata nuk përbëjnë rëndësi politiko-elektorale pasi nuk kanë të drejtë vote?… Këtu kalohet edhe “imazhi” i turpit për emigrantët shqiptarë që më së paku përballen me pyetjen se çfarë po ndodh në Shqipëri që ka kaq shumë “të larguar”?
As që mund të flitet për ndonjë strategji në mbrojtje të emigrantëve të këtushëm, ku fatkeqësisht rezulton se një pjesë e madhe janë në mbijetesë, e për rrjedhojë bien pre e grupeve kriminale dhe bëhen pjesë e tyre.
Ka ndonjë ide Ministria e Brendshme për numrin e të burgosurve shqiptarë në Britaninë e Madhe?
Ka ndonjë dijeni për Marrëveshjen ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Mbretërisë të Bashkuar të Britanisë së Madhe dhe Irlandës së Veriut për transferimin e personave të dënuar, nënshkruar më 15.1.2013,hyrë në fuqi më 11.6.2013?
Sipas zv/Ministres emigrantët shqiptarë duhen kthyer, sipas marrëveshjes së Tahirit madje shpejt. Kjo na qenka zgjidhja. Kështu zbatohet detyrimi kushtetues ndaj shtetasve shqiptarë. Sigurisht që në njoftimet për media do të cilësohen si të suksesshme vizita të tilla në Londër, sidomos pas ndonjë shopingu apo pas vizitave në qendrat atraktive të Londrës, shanse që nuk jepen shpesh, sidomos pas afrimit të fushatës elektorale…
O tempora o mores…