Opinion KUSHTETUTA E AHTISARIT, AKT JURIDIK-POLITIK, APO IDE E RE?

KUSHTETUTA E AHTISARIT, AKT JURIDIK-POLITIK, APO IDE E RE?

485
0
SHPËRNDAJE

Marti AhtisariBesim ZYMBERI

Në Kosovë, aktualisht është duke ndodhur një fazë dramatike e konfliktit kulturor. Kultura e vjetër dhe e virtytshme shqiptare, synohet të tjetërsohet, nëpërmjet presionit të shumanshëm që shqiptarët të vetëshkombëtarizohen.

Shqiptarësinë, jo vetëm si identitet nacional, por edhe si kulturë influencuese të përbotshme, provoi  ta ripërurojë presidenti i SHBA-së, Bush, më 10 qershor të vitit 2007, në vizitën e tij në Tiranë. Ai provoi t’i rijepte shtytje idesë së rebelimit të shqiptarëve, drejt aspiratës për të jetuar në një shtet të vetëm. Bushi, nuk ndoqi vetëm parimin e të drejtës kombëtare-historike  atëbotë. Ai e dinte se të gjithë shqiptarët në një shtet, do ta forconin kulturën e veçantë kreative në gjysmën e botës, së paku.

Klasa politike e Kosovës, atëherë, por duket edhe sot, nuk pati kapacitetet e duhura intelektuale që ta kuptojë situatën. Nuk përjashtohet as frika nga humbja e mundshme e protagonizmit të liderëve të kohës, shumica prej të cilëve kanë të njëjtin protagonizëm edhe sot. Por, duket se marifeti i një refuzimi të heshtur të thirrjes së Bushit, më së miri u justifikua me deklarimin e tij atëbotë për pavarësimin e shpejtë të Kosovës. Dhe pavarësia e Kosovës u shpall, 7 muaj pas paralajmërimit të saj nga presidenti Bush në Tiranë.

Erdhi pavarësia, por sipas parimit Bizmarkian të kufijve të tipit të një nocioni gjeografik, brenda të cilit kontestohet njëanshëm pronari human-kulturor sociohistorik!? Dhe shpirti i këtij shteti pa pronar kulturor të origjinës, është, Kushtetuta e Ahtisarit.

Shumëkush mund të thotë që projekti i Ahtisarit, me prodhimin e saj kulmor-Kushtetutën e Kosovës, është një kompromis kalimtar, i cili shpejt mund të ndryshohet! Por, unë jap alarmin se nuk është aspak ashtu! Kushtetuta e Ahtisarit, çuditërisht nuk duket ndryshe nga përmbajtja e doktrinave, elaborateve dhe projekteve për shkombëtarizim të shqiptarëve të Kosovës, të shkruara e të pashkruara, të cilat nuk janë realizuar fatmirësisht, për shekuj të tërë!

Kemi menduar mbase atëherë që, Kushtetuta e Ahtisarit, ishte një ilaç që do të luftonte virusin që po na gërryente ngadalë. Por, siç e dimë, ilaçi mbron organizmin tonë vetëm kur kemi një virus aktiv brenda. Ndërsa, në çastin kur virusi mundet, marrja e mëtutjeshme e të njëjtit ilaç, tanimë e gërryen tërë organizmin (tonë), duke e çuar atë pavetëdijshëm drejt vetëshkatërrimit-vetëtjetërsimit identitar!

Le të pajtohemi që për kohën e aprovimit, kjo Kushtetutë, na e tkurrte mendjen, për të na lënë ta perceptojmë atë vetëm me aktin e vështirë të krijimit të shtetit dhe me kënaqësinë e realizimit të tij!

…POR, KAM FRIKË QË KUSHTETUTA E AHTISARIT, ËSHTË NJË BIBËL, KURAN, TORA! KRAHASIMI ME KËTO KUSHTETUTA HYJNORE, NA SINJALIZON QË KUSHTETUTA E AHTISARIT, NUK ËSHTË NJË AKT        I ZAKONSHËM JURIDIK LIGJOR, QË RREGULLON JETËN TONË CIVILE E SHTETËRORE. KUSHTETUTA E AHTISARIT, PARA SE GJITHASH ËSHTË: IDE, KULTURË E RE, NË NËNTEKSTIN E SË CILËS FSHIHET EDHE KONSTATIMI I SHPËRFYTYRIMIT IDENTITAR, KOMBËTAR I SHQIPTARËVE, NËPËRMJET SHPRONËSIMIT TË KOSOVËS NGA PËRKATËSIA KULTURORE SHQIPTARE E SAJ…!?

Reinkarnimi ahtisarian i idesë së vjetër për një komb “Kosovar

Kosova, nuk ka ekzistuar kurrë si një çështje e ndarë, e izoluar dhe në vete! Kosova, ka qenë, është dhe do të mbetet një komponentë e rëndësishme e tërësisë sociohistorike dhe sociokulturore, të quajtur-Çështja Shqiptare!

Tentativat osmane e jugosllave veçanërisht, janë zhvilluar në drejtim të tjetërsimit identitar të shqiptarëve të Kosovës. Të gjithë faktorët gjeopolitikë, në Perëndim e Lindje, e kanë ditur dhe e dinë që Kosova, kurrë nuk do të mund të sabotohet në favor të një subjekti të ri identitar gjeopolitik dhe gjeokulturor!

Por, Kushtetuta ahtisariane, ka krijuar një konfuzion jo edhe të lehtë për shpjegim. Nëse deri në vitin 1999, ishin veprimet gjenocidare  ato që deshën ta largonin shqiptarësinë e Kosovës nga tavolinat vendimmarrëse të fuqishme politike, pas vitit 1999, u projektua modeli joshës, i nxitjes së shqiptarëve të Kosovës drejt vetëshhkombëtarizimit. Prandaj në esencë, shqiptarët, të joshur me shtetësinë në formën e një nocioni gjeoadministrativ, u panë si një pre e lehtë, që në një moment të tillë ahtisarian, të ishin të paaftë  ta kuptonin që njëkohësisht po bëheshin edhe viktimë e kurthit të përgatitur për tjetërsimin e tyre sociohistoik e kulturor.

Shteti i Kosovës, është një rezultat tepër i rëndësishëm i avancimit të çështjes shqiptare. Mund të thuhet lirisht që shteti i Kosovës, është një shkallë e mrekullueshme e emancipimit politik të shqiptarëve në tërësi!

Por, shteti i Kosovës, nga piedestali i lartë i një emancipimi të rëndësishëm të shqiptarëve, kërcënohet nga projektet për deshqiptarizim të tij!?

Ideja e deshqiptarizimit të Kosovës, nuk është ide e re. Ideja e deshqiptarizimit të Kosovës, synohet të arrihet nëpërmjet krijimit paraprak të ambientit për një deklarim  vetshkombëtarizimi, nga vet shqiptarët!.

Në ndihmë të kësaj ideje të vjetër, kemi ditëve të fundit, riaktualizimin e projektit të inaugurimit politik të të ashtuquajturit-Komb Kosovar!?

Cila është historia e idesë së “Kombit Kosovar”…?

Buron nga ideja e dështuar, por jo pa efekte të dëmshme dhe të mëdha, e turqizimit-përkatësisht, osmanizimit të shqiptarëve. Një projekt i tillë 500 vjeçar, nuk u sendërtua, për shkak të aftësisë dhe instiktit inteligjent dhe pothuaj religjioz të shqiptarëve, për të ruajtur bërthamën e vet kulturore identitare.

Vazhdoi më pas përpjekja një shekullore, për sllavizim-jugosllavizim-serbizim të shqiptarëve. Ishte përpjekje shumë serioze, me shumë efekte të dëmshme, por fatmirësisht, e parealizuar!

Në ç’pikë jemi sot…?

Kemi një thirrje të hapur dhe agresive për vet-deklarim solemn të ndërrimit të identitetit kombëtar, nga ai shqiptar, në atë-kosovar!?

A mund të realizohet një transformim i tillë mental kulturor…? Jo dhe, jo!

Por, dëmet do të jenë të mëdha. Do të kemi vonesa të mëdha, mosbesim të madh, devijime të rënda. Natyrisht, nëse shtetet shqiptare dhe inteligjencia shqiptare, nuk marrin masat adekuate të parandalimit të efekteve virusale të një fushateje të tillë!

Dokumenti Ahtisari, duhet të shfuqizohet!

Autori i shkrimit, Besim Zymberi

Rreth 40 ligje kishte aprovuar Kuvendi i Kosovës, pa asnjë procedurë diskutimi, para 15 qershorit të vitit 1998, kur hyri në fuqi Kushtetuta e Kosovës, e bazuar tërësisht në dokumentin e Ahtisarit. Ishin të gjitha ligje që rregullonin më shumë statusin e benificuar të serbëve, se sa jetën politike, civile e administrative të qytetarëve të Kosovës. E tëra interpretohej madje edhe publikisht si një kompromis i dhimbshem, në trajtën e një “diskriminimi pozitiv” të domosdoshëm!

Kishat serbe, me parimin e eksterritorialitetit kushtetues e ligjor, mbetën një kërcënim i madh i identitetit historik shqiptar të Kosovës.

Forma kushtetuese e njohjes së komunave serbe sipas parimit të rrezikshëm një etnik, mbetet kërcënim për shkallën e sovranitetit të Kosovës si dhe për fatin e kufijve të saj në një të ardhme  jo të largët.

Por, mangësia kryesore e shtetit të Kosovës, është-mungesa e ndijesisë kulturore shqiptare në frymën e tij!

Në retorikën politike-institucionale, atë mediale dhe atë civile-publike, pothuaj se fare nuk përmenden shqiptarët. Respektohet kështu vallë Kushtetuta ahtisariane…? Rëndom, tash e 17 vjet, në retorikën e lartpërmendur dëgjojmë vetëm togfjalëshat: “popull i Kosovës” dhe shumë më rrallë “Qytetarë të Kosovës”! Dhe, që gjendja të bëhet më e komplikuar, përjashtojmë kulturalisht vetëm serbët, duke i quajtur vetëm si të tillë e jo edhe ata në kuadrin e togfjalëshave të lartpërmendur!

Konflikti shqiptaro-serb, me kohën është shndërruar në një konflikt kulturor të formatit sociologjik. Së paku në 100 vjetët e ardhshëm, bashkëjetesa kulturore shqiptaro-serbe, pothuaj është e pamundur në një shkallë normale! Ose, është e mundur vetëm me një kusht: që njëra palë të ngrejë flamurin e bardhë dhe ta pranojë tjetërsimin identitar kulturor!

Kushtetuta e Ahtisarit e kërkon këtë tjetërsim, në formë vetëdeklarimi për shkombëtarizim, në favor të krijimit të identiteti të ri, jo nga të dyja palët, por vetëm nga shqiptarët. Natyrisht shqiptarët nuk munden dhe nuk duhet ta lejojnë këtë!

Prandaj, Kushtetuta e Ahtisarit, duhet të shfuqizohet sa më shpejt që të jetë e mundur dhe në vend të saj duhet hartuar Kushtetutën e re të Republikës së Kosovës, që bazohet në përkatësinë kulturore identitare shqiptare, me të drejta substanciale për pakicat tjera kombëtare! Kushtetuta e re, duhet të ketë të gjitha sinjalet që Kosovën e njeh në kuadrin e tërësisë së Çështjes Shqiptare, duke e orientuar drejt bashkimit të shqiptarëve në një shtet!

Është kjo e vetmja rrugë rehabilitimit të historisë, por edhe e gjeopolitikës ndërkombëtare në 100 vjetët e ardhshëm.

10 shkurt 2017 (gazeta-Shqip.com)