Rajon Kodheli pret homologun nga Kosova: Paprekshmëria e kufijve, prioriteti ynë

Kodheli pret homologun nga Kosova: Paprekshmëria e kufijve, prioriteti ynë

314
0
SHPËRNDAJE

Ministrja e Mbrojtjes znj. Mimi Kodheli priti sot në një takim zyrtar ministrin e Forcës së Sigurisë së Kosovës z. Haki Demolli dhe delegacionin që e shoqëronte. Dy ministrat folën mbi zhvillimet e fundit të sigurisë në Republikën e Kosovës dhe në veçanti për situatën e krijuar në kufijtë veriorë të saj. Në përfundim, dy ministrat dolën para mediave për një deklaratë.

“Shqipëria në fakt, ndjek me vëmendje zhvillimet në Kosovë dhe padyshim në mënyrë të veçantë, situatën e krijuar në kufijtë veriorë të saj. Konsolidimi i shtetit të Kosovës dhe paprekshmëria e kufijve kushtetues është në fakt prioritet i axhendës sonë të përbashkët dhe ishte le të themi ajo çka në mënyrë eksplicite u bisedua midis nesh, dy delegacioneve. Çdo përpjekje për të krijuar tensione false nacionaliste, do të përballet me vullnetin tonë të përbashkët, të palëkundur për të vazhduar ëndrrën tonë të madhe dhe të popujve, atë të integrimit euro-atlantik në të gjithë rajonit që jetojmë.

Ne vlerësojmë maksimalisht punën e jashtëzakonshme që personeli ushtarak i misionit më të gjatë NATO, KFOR bën në Kosovë. Prezenca e ushtarakëve shqiptarë në fakt atje do të dyfishohet, është një lajm që ne e kemi dhënë edhe më parë, dhe ne jemi në përfundim të procedurave ligjore për këtë shtesë personeli”, tha Kodheli.

Ndërkohë, ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, z. Haki Demolli tha se

qëllimi kryesor i vizitës ishte analizimi dhe vlerësimi i bashkëpunimit të deritanishëm dhe sidomos ishte mundësia e identifikimit të këtij bashkëpunimi për çka të dy palët u dakorduan që edhe në vitet e ardhshme duke filluar nga viti 2017 e tutje këtë bashkëpunim ta zhvillojmë në të gjitha segmentet e mundshme.  Në takim u bisedua edhe për zhvillimet e fundit në rajon me një theks të posaçëm për zhvillimet në Kosovë dhe sidomos në Mitrovicë dhe në rrethin e Mitrovicës si dhe u bisedua lidhur me ndalimin e ish – kryeministrit të Republikës së Kosovës, zotit Ramush Haradinaj nga ana e autoriteteve franceze në bazë të një fletë-arresti të lëshuar nga ana e Republikës së Serbisë dhe njëherësh kërkon që autoritetet franceze sa më parë që të jetë e mundur të lirojnë zotit Haradinaj në mënyrë që të kthehet në Kosovë. T’i rikthehet punëve dhe angazhimeve të tij të përditshme, si në jetën private ashtu dhe në atë politike.

Çështje tjerët e diskutimit është edhe procesi i transformimit të Forcës së Sigurisë në Forcë të Armatosur të Kosovës ky proces tashmë është e ditur që për shkak të mos gatishmërisë së deputetëve të komunitetit serb në Kuvendin e Kosovës që të votojnë në Kuvendin e Kosovës amendamentin, i cili hap rrugën për transformim, ka një kohë të gjatë që kanë stopuar”, u shpreh homologu i Kosovës.

13 shkurt 2017 (gazeta-Shqip.com)