Ekonomi Rilindja Urbane, 33 projekte të reja për vitin 2017

Rilindja Urbane, 33 projekte të reja për vitin 2017

308
0
SHPËRNDAJE

Komiteti i Zhvillimit të Rajoneve miraton 33 projekte të reja të infrastrukturës urbane nga veriu në jug, duke e çuar kështu numrin e projekteve që janë financuar nga kjo qeveri në 367. Lajmin e mirë, Ministrja e Zhvillimit Urban, Eglantina Gjermeni e dha nga qyteti i Fierit, ku inspektoi 4 prej 14 projekteve të përfituara nga Bashkia e Fierit prej Fondit për Zhvillimin e Rajoneve në periudhën 2014 – 2016 me nje vlerë totale prej 2 miliard lekësh. Ministrja shoqërohej nga kryebashkiaku i Fierit, Armando Subashi, prefekti Xhevit Bushi dhe deputetja Adelina Rista.

“Disa nga bashkitë projektet, e të cilave u miratuan për financim dje janë Bulqiza, Kukësi, Klosi, Kruja, Libohova, Finiqi, Poliçani, Vau i Dejës, Maliqi, Pogradeci, Kolonja, Mallkastra, Hasi, Kuçova, Librazhdi, Gramshi, Vlora. Është e vërtetë se punën e nisëm në vitin 2014, duke nxitur dhe inkurajuar zhvillimin e qendrave të qytetit, por larmia e projekteve që kemi mbështetur dhe kemi realizuar ka qenë e shumtë. Theksoj këtu se nga qendrat e qyteteve është kaluar në blloqe banimi, në zona rurale,  në rrugët lidhëse, në tregje, duke nxitur edhe zvogëluar diferencat mes zonave rurale dhe urbane”, tha Ministrja në deklaratën e saj për mediat.

Brenda vitit 2017, qytetarët e Fierit do të kenë tërësisht të rikonstruktuara parkun qendror, parkun pranë bar “Rinisë” , të parin treg bujqësor të zonës por edhe pamje tërësisht të re të bulevardit “Ramis Aranitasi”.

Këtyre projekteve i shtohet edhe projekti i miratuar dje nga KZHR: “Rehabilitimi i fasadave dhe rikonstruksioni i rrugës “Rauf  Nasufi”, si dhe rijetëzimi i hapësires së terminaleve të autobusëve” me vlerë 143 milion lekë.

“ Në Fier kemi zbatuar 8 projekte të infrastrukturës urbane; po ndërtojmë 2 bulevarde, një treg bujqësor e shumë shpejt për fëmijët e të moshuarit do kenë më shumë hapësira shlodhëse në dy parqet që përfundojnë së shpejti. Të gjitha  projektet e zbatuara gjatë kësaj periudhe kanë pasur një impakt të drejtpërdrejtë në përmirësimin e kushteve të jetës së qytetarëve dhe zhvillimit të bizneseve vendase. Unë dua edhe një herë t’i bëj apel kryetarëve të bashkive për përfundimin  e projekteve që financohen nga Fondi për Zhvillimin e Rajoneve me cilësi brenda vitit buxhetor 2017”, tha Ministrja Gjermeni.

Janë mbi 80 projekte të Rilindjes Urbane që pritet të përfundojnë gjatë këtij viti, 4 prej të cilëve janë në zbatim e sipër në qytetin e Fierit.

Një prej projekteve të rëndësishme është ai ndërtimi i tregut të produkteve bujqësore me vlerë  58 mln lekë.

Ky projekt që i shërben mbi 190 mijë banorëve dhe 1 mijë bizneseve ka ndikim të menjëhershëm në jetën e qytetarëve  nëpërmjet tregtimit të frutave e perimeve sipas kushteve bashkëkohore, zhvillimin e ekonomisë vendase dhe rritjen e kujdesit ndaj shëndetit të qytetarëve.

14 shkurt 2017 (gazeta-Shqip.com)