Sport Kualifikohet Teuta, Vllaznia konteston Jorgjin

Kualifikohet Teuta, Vllaznia konteston Jorgjin

72
0
SHPËRNDAJE

2 minuta të çmendura në “Niko Dovana”, por që i mjaftuan Teutës për kualifikimin në gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë.

Formacioni i Gugash Maganit mposhti 2-0 Vllazninë, duke zhvlerësuar suksesin minimal të shkodranëve në “Loro Borici”, dy javë më parë. Një 11 metërsh i akorduar 8 minuta para përfundimit të kohës së rregullt, por i kundërshtuar me forcë nga kuqeblutë, ktheu rrjedhën e një ndeshjeje që po i drejtohej fundit me rrjeta të paprekura. Momente tensioni, kartonë të verdhë dhe të kuq, me Vllazninë tejet të zhgënjyer për episodet që rezultuan kundër saj. Ndeshja nisi me një veprim akrobatik të Shtubinës në minutën e shtatë pas asistit të Bicajt me kokë, por koordinimi i futbollistit të Vllaznisë nuk ishte perfekt. Në të 11-tën, Progni zhvendoset nga e majta në qendër, godet portën por reagon në gatishmëri Agovic.

Tenton direkt portën Endri Vrapi në të 40-ën, por Mocka kupton idenë e mbrojtësit shkodran. Pjesa e parë mbyllet me rrjeta të paprekura, por fraksioni i dytë do të rezervonte episode shumë të diskutueshme. Pretendon për 11 metersh Gerhard Porgni në minutën e 51-të, por nuk është dakord Jorgji që e konsideron të rregullt ndërhyrjen e Pjeshkës. Më fat Mocka një minutë më pas kur rivënia e Vrapit pas një devijimi qethi shtyllën dhe përfundoi në fundore. Tension vetëm pak çaste më vonë, pas ndërhyrjes së Bakjat ndaj Bangal. Reagimi i futbollistit të Teutës shkakton acarimin mes palëve me Jorgjin që detyrohet të nxjerrë disa kartonë të verdhë për të qetësuar situatën.

Në të 64-rën durrsakët nuk preferojnë të ndalin lojën edhe pse Vrapi qëndronte i shtirë në zonë, megjithatë akrobacia e Kotobellit s’pati asnjë rrezik për Agovic. Në të 70-tën kryhet zëvendësimi i fundit i Teutës me Cyrbjen që merr vendin e Endri Maganit, teksa më parë ishin aktivizuar Ribaj dhe Tarik, ndërsa në kampin shkodran Cungu largon nga loja Bakajn për Hebajn. Vjen momenti i shumëdiskutuar i sfidës. Në minutën e 82-të Andi Ribaj i vidhet mbrojtjes dhe rrëzohet menjëherë pas kontaktit me portierin Agovic. Nuk heziton Jorgji, akordon një 11-metërsh që kontestohet me forcë nga shkodranët. Gjithkush mund të krijojë një ide të qartë nga pamjet e përsëritura.

Hila nuk gabon në ekzekutimin e penalltisë duke barazuar rezultatin e përgjithshëm në 1-1. Sapo nisi loja nga qendra Teuta u rrëmben topin kuqebluve dhe në vijim të aksionit Progni me zgjuarsi shënon golin e dytë e që do të rezultonte ai i kualifikimit për vendasit. Vllaznia hidhet e tëra në sulm për të gjetur golin e kualifikimit, por ka tension në zonën e Teutës, me Jorgjin që ndëshkon me karton të verdhë Shtubinën dhe Hilën, për të cilin ishte i dytë në këtë sfidë. 5 minutat shtesë nuk i mjaftuan Vllaznisë për të shënuar qoftë një gol, që do të mund ta kualifikonte në gjysmëfinale të kompeticionit.

15 shkurt 2017 (gazeta-Shqip.com)