Sociale Lutja e dëshpëruar e babait: Ju lutem më gjeni fëmijët e mi

Lutja e dëshpëruar e babait: Ju lutem më gjeni fëmijët e mi

1717
0
SHPËRNDAJE
Citroen Oferta 2

Prej më shumë se 4 vjetësh, Arian Boshnjaku nga fshati Begaj i Tropojës, nuk i ka parë fëmijët e tij të mitur. Situata rëndohet edhe më tej kur ai thotë se nuk  e di vendndodhjen e asnjërit prej tyre. “Ju lutem, më ndihmoni që të gjej fëmijët e mi!”, është lutja që Ariani i drejtohet çdo kujt që mendon se mund ta ndihmojë. Ai thotë se është ndarë nga bashkëshortja dhe se ka bërë shumë gjyqe që të marrë kujdestarinë e fëmijëve të tij, Arselindës 12 vjeçe dhe Alvarit 10 vjeç.

“Kam bërë shumë gjyqe dhe Gjykata e Tropojës vendosi që kujdestaria e fëmijëve të më kalonte mua. Kjo për faktin se ish-bashkëshortja i braktisi ata dhe u largua nga banesa me një person tjetër, që  kishte lidhje jashtëmartesore. Pas dy ditësh, ajo e apeloi vendimin duke e çuar çështjen në Apel. Besoj se ish-gruaja ime u ka dhënë para gjyqtarëve. Nuk e di me saktësi këtë gjë, por nuk e pashë të arsyeshëm vendimin. Apeli në Shkodër ia dha kujdestarinë ish-bashkëshortes pa vlerësuar fare raportin e psikologes që kjo e fundit u kishte bërë fëmijëve”, tregon Boshnjaku për vendimet e ndryshme të Gjykatës.

Babai nuk ka dashur që t’ia dorëzojë të miturit ish-gruas dhe për pasojë Gjykata e Bajram Currit në vitin 2013, i ka kërkuar atij që të paraqitet atje së bashku me fëmijët. “Pas një muaji, në 2013-ën, mu kërkua që të shkoj në Gjykatën e Bajram Currit. Shkova atje shumë shpejt dhe aty mi morën fëmijët me forcë, jashtë dëshirës së tyre. Personat që ndodheshin atë ditë aty, janë sjellë si kafshë në prezencë të fëmijëve. Kanë ushtruar dhunë psikologjike”, tregon Ariani. Kjo ka qenë edhe hera e fundit që ai ka parë të vegjlit e tij.

Pas dy javësh, ai thotë se fëmijët e tij janë pajisur me pasaporta dhe u larguan në Europë. “Unë nuk i kam parë më kurrë fëmijët që prej asaj dite. Ata kanë dalë jashtë territorit të Shqipërisë, pa hedhur unë firmën si prind. Në kundërshtim të plotë me ligjin, të vegjlit e mi janë lejuar të kalojnë kufirin jashtë çdo rregulli. Sipas vendimit të gjykatës unë duhet të takohem më fëmijët e mi 2 në muaj, por kjo nuk ka ndodhur kurrë”, flet babai për largimin e dyshimtë të fëmijëve të tij.

Ndërkohë, ai thotë se i është drejtuar për ndihmë ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, kryeministrit Rama, ministrit të Drejtësisë, e të tjerë, por nuk mori asnjë përgjigje. E vetmja dëshirë që Ariani ka, është që të takohet me fëmijët e tij. Ai nuk di asgjë për fatet e tyre; nuk e di sa kanë ndryshuar këto 4 vjet, ku jetojnë; si janë me mësime; çfarë pëlqejnë, e të tjera. Por frika më e madhe e tij është së ish-bashkëshortja është person i papërgjegjshëm dhe se mund t’i shfrytëzojë fëmijët.

15 shkurt 2017 (gazeta-Shqip.com)