Kryesoret 9-vjetori i Pavarësisë, Rama në Kosovë: 17 shkurti, ditë e bekuar për...

9-vjetori i Pavarësisë, Rama në Kosovë: 17 shkurti, ditë e bekuar për shqiptarët

406
0
SHPËRNDAJE

Kryeministri Edi Rama, pas seancës solemne për 9-vjetorin e pavarësisë së Kosovës, deklaroi se kjo ditë duhet të konsiderohet si e bekuar për shqiptarët, serbët dhe gjithë të tjerët që jetojnë në Kosovës.

Rama uroi të gjithë qytetarët për përvjetorin e pavarësisë, duke thënë se është një përvjetor me një peshë të jashtëzakonshme, pasi ende janë të freskëta kujtimet e së kaluarës. Ai uroi po ashtu për kthimin sa më parë në shtëpi të Ramush Haradinajt.

Sipas tij, “dita-ditës, Kosova po dëshmon se është një shembull rrezatues i bashkëjetesës harmonike mes komuniteteve të ndryshe, si dhe po dëshmon se kjo jo vetëm që është e dëshirueshme por edhe e mundur”.

“Gëzuar të gjithëve këtë moment shumë të rëndësishëm, këtë ditë që është vigjilja e pavarësisë dhe një përvjetor i radhës, por si çdo përvjetor me një peshë ende të jashtëzakonshme, sepse janë të freskëta ditët e vështira të një të kaluare që nuk është e largët. Së dyti uroj përsëri edhe sot, kthimin sa më parë në shtëpi të Ramush Haradinajt. Pa praninë e tij, kjo ditë ka një mungesë dhe nga ana tjetër mungesa e tij është edhe një ftesë në këtë ditë për një reflektim për të gjithë, se sa shumë akoma është për t’u bërë”, tha Rama.

Sipas tij, 17 Shkurti, duhet të konsiderohet si ditë e bekuar për shqiptarët, serbët dhe gjithë të tjerët që jetojnë në Kosovë.

“Duhet të konsiderohet një ditë e bekuar jo vetëm për shqiptarët që jetojnë në Kosovë, por edhe për serbët dhe të gjithë të tjerët pasi dita-ditës Kosova provon se është një shembull rrezatues i bashkëjetesës harmonike mes të ndryshmëve dhe u provon të gjithë tjerëve se kjo është jo vetëm e dëshirueshme, por edhe e mundur dhe së fundmi është një kënaqësi gjithmonë e veçantë dhe nuk e them vetëm për formalizëm protokollar apo për fjalën e bukur të rastit që të jem në Prishtinë dhe është nder që të jem sot këtu i ftuar në ceremoninë e ditës më të rëndësishme të Kosovës bashkëkohore, ditës së pavarësisë së saj”, tha Rama. Rama mori pjesë në seancën solemne si i ftuar nderi.

16 shkurt 2017 (gazeta-Shqip.com) /Kosovapress