Botë Izrael-Palestinë, Trump refuzon zgjidhjen me dy shtete

Izrael-Palestinë, Trump refuzon zgjidhjen me dy shtete

607
0
SHPËRNDAJE
Citroen Oferta 2

Presidenti amerikan Donald Trump ka hedhur poshtë politikën e mbështetur për dekada nga Shtëpia e Bardhë, për një zgjidhje me dy shtete të kontestit mes Izraelit dhe Palestinës.

Në një konferencë për shtyp me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, Trump premtoi se do të punojë për një marrëveshje “të madhe” paqeje, por shtoi se të dyja palët duhet të arrijnë një kompromis.

“Po shoh mundësinë e dy shteteve dhe atë të një shteti. Mua më pëlqen ajo zgjidhje që të dyja palët pëlqejnë. Jam i lumtur me të. Por mund të jetoj edhe me një shtet të vetëm. Për një moment mendova se zgjidhja me dy shtete do të ishte më e lehtë për të dyja palët, por të them të drejtën, nëse Izraeli dhe palestinezët janë të kënaqur me diçka edhe unë jam i kënaqur”, tha Trump.

Në konferencën për shtyp në Shtëpinë e Bardhë në Uashington, së bashku me kryeministrin e Izraelit, Benjamin Netanyahu, zoti Trump, po ashtu, i ka kritikuar deklaratat e Kombeve të Bashkuara dhe të trupave të tjera ndërkombëtare, që sipas tij, Izraelin po e trajtojnë në mënyrë “shumë jokorrekte”.

Vizita e sotme e zotit Netanyahu në Uashington është e para gjatë presidencës së Donald Trumpit, i cili ka shprehur mbështetje të fuqishme për Izraelin dhe qeverinë e Netanyahut, e cila ishte përplasur disa herë me politikat e ish-presidentit, Barack Obama.

Gjatë fushatës zgjedhore, zoti Trump e ka kritikuar marrëveshjen atomike me Iranin, e implementuar në vitin 2016, me të cilën Teherani është obliguar ta kufizoj programin e tij bërthamor në këmbim për tërheqje të sanksioneve ndërkombëtare ekonomike.

Nëpërmjet një urdhri ekzekutiv më herët këtë muaj, presidenti Trump ka imponuar sanksione të reja kundër Iranit.

Trump i tha sot zotit Netanyahu se qeveria e Izraelit duhet “pak të tërhiqet” nga ndërtimi i vendbanimeve të reja në Bregun Perëndimor. Këto ndërtime janë kritikuar nga autoritetet palestineze.

16 shkurt 2017 (gazeta-Shqip.com_