Aktualitet Japin dorëheqjen drejtori i Parandalimit të Pastrimit të Parave dhe drejtori i...

Japin dorëheqjen drejtori i Parandalimit të Pastrimit të Parave dhe drejtori i DSIK

581
0
SHPËRNDAJE

Kreu i Drejtorisë së Parandalimit të Pastrimit të Parave Alket Hyseni ka dhënë dorëheqjen ditën e sotme.

Hyseni ia ka paraqitur dorëheqjen e tij kryeministrit Edi Rama dhe ministrit të Financave, Arben Ahmetajt.

Alekt Hyseni është sulmuar vazhdimisht nga opozita si njeri shumë i afërt i kryeministrit, çka sipas saj e paragjykonte besueshmërinë e procesit të vettingut. Alket Hyseni e ka theksuar këtë qëndrim të opozitës si një argument të përdorur nga ata që nuk e duan reformën në drejtësi.

“Jam i përgjegjshëm se reforma në drejtësi është një proces i pakthyeshëm, e duke qenë i bindur se është në interesin e të gjithë shqiptarëve  që ky proces të zhvillohet sa më shpejt ndjej se largimi im nga funksioni që kryej do të shërbejë për të eliminuar çdo alibi të të gjithë atyre që frikësohen nga reforma dhe pikësëpari nga vettingu”, shkruan Alket Hyseni në kërkesën paraqitur kryeministrit dhe ministrit të Financave.

Alket Hyseni u emërua Drejtor i Përgjithshëm i Drejtorisë së Parandalimit të Pastrimit të Parave qershor të vitit të kaluar.

Po ashtu ditën e sotme ka dhënë dorëheqjen edhe kreu i Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, DSIK, Arben Seferi. Ky i fundit mësohet se ka paraqitur dorëheqjen pranë Kryeministrit.

Vendimi për t’u dorëhequr nga posti vjen pas akuzave politike të opozitës.

“Më kanë etiketuar si person me anësi politike. DSIK do të ketë rol në reformën në drejtësi. Ata që i tremben reformës duan justifikime për ta bllokuar me çdo kusht”, – është shprehur Seferi.

16 shkurt 2017 (gazeta-Shqip.com)