Politikë Negociatat, pas 4 muajsh. Reagime në Strasburg, Londër e Tiranë

Negociatat, pas 4 muajsh. Reagime në Strasburg, Londër e Tiranë

400
0
SHPËRNDAJE

Miratimi i rezolutës së re për Shqipërinë nga Parlamenti Europian ka ngjallur reagime të ndryshme brenda dhe jashtë politikës shqiptare.

Rezoluta e miratuar nga eurodeputetët, në pikën 2 thekson se Parlamenti Europian mirëpret rekomandimin e Komisionit Europian për hapjen e negociatave të anëtarësimit sa më shpejt që do të ketë progres të besueshëm dhe të qëndrueshëm në zbatimin e një Reforme në Drejtësi gjithëpërfshirëse, si dhe në luftën ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Ndërkohë, e përditshmja britanike “Express” shkruan se Shqipëria do t’i nisë bisedimet e anëtarësimit me BE-në brenda vetëm 4 muajsh, duke iu referuar deklaratave nga mbështetësit e “Brexit”-it.

Jane Collins, e partisë britanike kundër emigrantëve “UKIP”, pretendon se ky aderim do të përfshijë jo vetëm një transferim të madh parash nga ato të taksapaguesve britanikë, por edhe mundësinë e lëvizjes së lirë, që nënkupton edhe lëvizjen e kriminelëve nga Shqipëria.

I zjarrtë, sipas gazetës britanike “Express”, ka qenë në argumentet e tij pro Shqipërisë në Strasburg eurodeputeti bullgar, Ilhan Kyuchyuk.

Ndërkohë, kryeparlamentari Meta paraqiti nga Vjena miratimin e Reformës në Drejtësi, si fakt që Shqipëria është duke ecur përpara në mënyrë të qëndrueshme drejt Bashkimit Europian.

“Kjo reformë kushtetuese historike, nëse zbatohet siç duhet do të forcojë shtetin e së drejtës, do të krijojë një sistem drejtësie më të paanshëm, do të na detyrojë ne politikanëve që të tregojmë më shumë transparencë në mënyrën sesi qeverisim, si dhe do të krijojë llogaridhënie të plotë në jetën publike, gjë që është shumë e nevojshme”, ka thënë Meta.

Për socialistët, data e hapjes së negociatave të anëtarësimit është e afërt.

“Shqipëria është e gatshme për hapjen e negociatave, madje në një sektor shumë të rëndësishëm siç është ai i Drejtësisë, që janë kapitujt 23 dhe 24, ne jemi përpara vendeve të tjera si Mali i Zi apo Serbia”, është shprheur Taulant Balla, deputet i PS-së.

Për opozitën, pa zgjedhje të lira, Dekriminalizimin dhe pastrimin e fushave me drogë, nuk ka integrim për Shqipërinë.

“Zgjedhjet e lira dhe të ndershme janë kusht për avancimin e Shqipërisë. Sikurse lufta kundër drogës, ku përmendej dështimi për të identifikuar dhe shkatërruar rrjetin kriminal pas kultivimit të drogës”, deklaroi Aldo Bumçi, deputet i PD-së.

16 shkurt 2017 (gazeta-Shqip.com)/TCH