Sport Vajzat kuqezi, tre miqësore me Malin e Zi

Vajzat kuqezi, tre miqësore me Malin e Zi

75
0
SHPËRNDAJE

Shqipëria dhe Mali i Zi tre herë përballë njëra-tjetrës në harkun e pak ditëve. Ndeshjet do të luhen të gjitha në vendin tonë dhe do ti shërbejnë Kombëtares A të femrave dhe skuadrës së 19-vjeçareve në futboll, për të vlerësuar gjendjen e skuadrave në kuadër të angazhimeve ndërkombëtare.

Përfaqësuesja A do të luajë dy ndeshje përballë skuadrës së Malit të Zi. Përballja e parë, e përcaktuar më datë 28 Shkurt do të zhvillohet në “Elbasan Arena”, ndërsa testi e dytë do të luhet më datë 2 Mars në impiantin “Loro Boriçi”.

Një mënyrë që skuadra e drejtuar nga trajneri Armir Grima të përgatitet për raundin paraeliminator të Kupës së Botës, ku nga 6 deri më 11 Prill Shqipëria do të jetë vendi organizator i Grupit 2, ku luajnë edhe Kosova, Greqia dhe Malta.

Përsa i takon Kombëtares së 19-vjeçareve për femra, do të zbresë në fushë përballë bashkëmoshatareve malazeze më datën 1 Mars, në miqësoren e parashikuar të zhvillohet në stadiumin “Loni Papuçiu” të Fierit.

Sipas Federatës Shqiptare të Futbollit, skuadra e drejtuar nga Nevil Dede do të zhvillojë edhe një tjetër miqësore në muajin Maj përballë 19-vjeçareve malazeze. Teste të rëndësishme përpara startit të Grupit 4 kualifikues të Europianit të kësaj moshe, që do të zhvillohet në Shqipëri nga data 25 deri më 31 Tetor, ku vajzat kuqezi do të luajnë ndaj Spanjës, Ukrainës dhe Azerbajxhanit.

16 shkurt 2017 (gazeta-Shqip.com)