Politikë Politikanët shqiptarë urojnë Pavarësinë e Kosovës

Politikanët shqiptarë urojnë Pavarësinë e Kosovës

72
0
SHPËRNDAJE

Nishani uron Thaçin për pavarësinë e Kosovës

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani i ka dërguar sot një mesazh urimi Presidentit  të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi .

“Me rastin e 9-vjetorit të pavarësisë së Republikës së Kosovës, kam kënaqësinë e veçantë që, në emrin tim dhe të popullit shqiptar, të përcjell urimet më të përzemërta e vëllazërore, për Ju dhe të gjithë shtetasit e Kosovës.

Përfitoj nga rasti të përshëndes gjithashtu, të gjitha arritjet e deritanishme të Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj për ndërtimin e shtetit të pavarur dhe funksional të Kosovës, si dhe kontributin e rëndësishëm të dhënë në funksion të paqes, sigurisë dhe zhvillimit të rajonit. Jam i bindur se falë këtij progresi, por edhe mbështetjes domethënëse të partnerëve, Kosova shumë shpejt do të bëhet anëtare aktive e organizatave më të rëndësishme ndërkombëtare, si dhe do të avancojë krahas vendeve të tjera të rajonit, në agjendën e saj evropiane.

Marrëdhëniet ndërshtetërore mes Shqipërisë dhe Kosovës, janë shumë të veçanta dhe të një rëndësie thelbësore, si për të ardhmen e kombit shqiptar ashtu edhe për stabilitetin dhe përparimin e rajonit. Ndaj dhe ju siguroj se Shqipëria, bazuar në frymën dhe vizionin evropian e euroatlantik, do të jetë gjithnjë në krah të Kosovës në rrugën e saj të zhvillimit dhe do ta mbështesë pa asnjë rezervë në ruajtjen e pavarësisë, sovranitetit dhe integritetit shtetëror”, shprehet Nishani.

Rama nga Kosova: Gëzuar festën e pavarësisë!

Kryeministri Edi Rama ndërsa ndodhet në Kosovë për të qenë pjesë e ceremonive zyrtare në ditën e 9 vjetorit të pavarësisë së Kosovës,  ka uruar festën e pavarësisë.

Kryeministri Rama një postim në faqen e  tij ne Facebook, mëngjesin e së premtes ka uruar : “GËZUAR FESTËN E PAVARËSISË”

Basha uron Kosovën

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha uroi Kosovën për vitin e saj të nëntë të pavarësisë, me anë të një postimi në Facebook.

“Sot, në vitin e nëntë të pavarësisë së Kosovës, të dytën ditë më të rëndësishme të historisë sonë kombëtare, dua të uroj nga zemra vëllezërit dhe motrat e Kosovës. Nëntë vite të pavarësisë së Kosovës nuk kanë qenë vite të lehta. Vështirësi të shumta kanë sfiduar udhën e saj drejt projektit të shtetformimit. Por, pjekuria e durimi, forca e mençuria, besimi i pashterë te liria, respekti fisnik ndaj tipareve më të vyera kombëtare me të cilat ju të dashur vëllezër dhe motra keni përballuar këto sfida, do të shkruhen në faqen e krenarisë sonë kombëtare”, shkroi Basha.

“Të dashur vëllezër e motra të Kosovës. Çdo sukses i juaji është sukses i ynë, çdo hap i juaji përpara na rrit dhe ne, çdo dhimbje lëndon njësoj. Rruga që kemi përpara është ende e mbushur me sfida. Realizimi i aspiratës sonë kërkon ende sprova e pas çdo sprove rritet qartësia dhe vizioni se jemi në rrugën dhe anën e drejtë të historisë. Në këtë ditë të përvjetorit të nëntë të pavarësisë më lejoni që bashkë me urimet e gëzimin të ndaj me ju një premtim, se çdo orë, çdo ditë e jetës dhe e punës sime, sot në krye të opozitës e nesër në krye të qeverisjes së vendit, Kosova dhe aspirata jonë e përbashkët drejt integrimit do të jetë misioni ynë i madh, busulla orientuese më e qartë, energjia që do të ushqejë çdo hap tonin përpara. Ne do të jemi bashkë në këtë rrugëtim, së bashku do t’ia dalim. Gëzuar Ditën e Pavarësisë Kosovë”, shtoi kreu i PD-së.

17 shkurt 2017 (gazeta-Shqip.com)