Ekonomi Eksportet rriten me 15% për 2-mujorin, por dobësohen tekstilet e këpucët

Eksportet rriten me 15% për 2-mujorin, por dobësohen tekstilet e këpucët

77
0
SHPËRNDAJE
Citroen Oferta 2

Eksportet kanë shënuar një rritje dyshifrore prej 14.8% për dy muajt e parë të vitit, duke arritur në 39 miliardë lekë, sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT.

Ecuria është shumë më pozitive se vitin e kaluar, kur shitjet jashtë vendit ishin negative. Në fakt, arsyeja kryesore e rënies së tyre vitin e kaluar, tashmë është bërë faktori kryesor që po çon në lulëzimin e eksporteve. Bëhet fjalë për grupin “minerale, lëndë djegëse e energji”, që vitin e kaluar vuajti si rrjedhojë e koniunkturës së pafavorshme ndërkombëtare.

Për dy muajt e parë të vitit, ky grup është rritur me 73% në 7.6 miliardë lekë. Si nafta, ashtu dhe kromi, që janë dy produktet kryesore, kanë përfituar nga rritja e çmimeve në tregjet ndërkombëtare.

Ndryshe nga viti i kaluar, kur tekstilet dhe këpucët amortizuan rënien e lëndëve djegëse e mineraleve, këtë vit kjo industri nuk e ka nisur mbarë. Eksportet e tekstileve e këpucëve u rritën minimalisht me 4.6% në 18.1 miliardë lekë, por gjithsesi ato vijuan të jenë grupi më i madh i eksportuar.

Me ecuri pozitive ka rezultuar dhe grupi i “materiale ndërtimi e metale”, që u zgjerua me 33% në 5.5 miliardë lekë. Edhe ky grup, vitin e kaluar kishte shënuar rënie, si rrjedhojë e falimentimit për arsye ristrukturimi të Kurum. Rivënia në punë e Kurum, tashmë në emrin e Albmetal, ka rigjallëruar eksportet e këtij grupi, kryesisht me shitjen e skrapit.

Ngricat kanë ndikuar negativisht eksportet e ushqimeve, që kanë rënë me 9% për dymujorin, ndryshe nga viti i kaluar kur rritja e tyre ishte mbi 20%.

Pas një rënieje dy vitet e fundit, “makineritë dhe pajisjet” janë rritur me gati 10%.

Në total, struktura e eksporteve shqiptare vijon të jetë e varur nga krahu i lirë i punës (fasoni) dhe shitja e burimeve natyrore, duke qenë tepër e varur si nga luhatjet e çmimeve të mallrave në tregjet ndërkombëtare, ashtu dhe nga Italia, që është destinacioni kryesor ku shkojnë produktet e tekstileve e këpucëve.

18 mars 2017 (gazeta-Shqip.com)