Sport Vllaznia-Teuta, barazim dhe polemika

Vllaznia-Teuta, barazim dhe polemika

125
0
SHPËRNDAJE

Nga dora e Zotit, te dora e Hajdarit që nuk ndihmoi dot Vllazninë të merrte fitoren përballë Teutës në “Loro Boriçi”. Një prekje e lehtë e topit me dorë nga futbollisti i Vllaznisë Hajdari, u duk sikur fillimisht rezultoi një bekim nga sipër për shkodranët që morën kryesimin me Hebajn, por syri i vëmendshëm i Avdos, kuptoi që “mrekullia” e atij aksioni qëndronte e gjitha te prekja me dorë e numrit 18-të, me kryesorin Sokoli që pas shumë minutash anullori golin, në një moment që krijoi jo pak tension në fushë. Vllaznia në fakt kërkonte një fitore që do t’i jepte një drejtim europian sezonit të saj përballë Teutës, dhe e pati mundësinë për ta nisur në mënyrë e duhur takimin, por Bakaj, lideri i golit gaboi nga pika e bardhë duke gjetur në rrugën e tij shtyllën.

Në pjesën e dytë, në favor të Vllaznisë ishte dhe momenti i daljes me të kuq të Prognit, por shkodranët nuk e shfrytëzuan me Bakaj që shpërdoroi sërish dy mundësi të mira në minutën e 58-të dhe 67-të. Ndërkohë që Teuta zbritjet i pati të pakta, si në rastin  e minutës së 70-të, por Tafili largoi mirë mbi vijën fatale. Më pas dhe dora e Hajdarit, që ishte momenti më kritik i kësaj sfide, por që sërish nuk zhbllokoi dot rezultatin, ashtu siç nuk bëri dot dhe Hebajn në të 92-tën, që gjeti në rrugën e tij shtyllën, ku u ndalën dhe shpresat e shkodranëve për t’u afruar me vendin e katërt.

19 mars 2017 (gazeta-Shqip.com)