Kulturë Puna e përjetshme në një dhomë të izoluar

Puna e përjetshme në një dhomë të izoluar

220
0
SHPËRNDAJE
Citroen Oferta 2

“Kontrabasi” është  premiera më e re në Qendrën Kulturore Tirana (Teatri Metropol) nën regjinë e Stefan Çapalikut.

“Kontrabasi” vepra e shkruar nga Patrick Suskind e nën intepretimin e Pjerin Vlashit do të vijë premierë në skenën e Qëndrës Kulturore Tirana më 24 mars.

“Kontrabasi” përbëhet nga monologu i një kontrabasisti, i cili flet për audiencën në dhomën e tij, të vogël, të izoluar mirë në pikëpamje akustike dhe duke pirë birrë. Ai është i punësuar në një orkestër shteti. Në fillim kontrabasisti çmon tej mase instrumentin e vet për rëndësinë e tij në orkestër, duke treguar anekdota me një humor të fshehtë e hera-herës idhnak.

Më pas ai fillon të na shpjegojë anën e errët të marrëdhënies së tij me kontrabasin, si një pengesë e vazhdueshme drejt realizimit të qëllimeve të veta, një prej të cilave është edhe njohja me Sarën, këtë soprano të re, të cilën e admiron prej së largu. “Nuk njoh asnjë shok timin që ta ketë mësuar kontrabasin me dëshirë. Shkaku në një farë mënyre besoj se është i qartë. Nuk është një instrument i manovrueshëm. Kontrabasi është, si ta them, më tepër një pengesë se një instrument. S’e ngre dot peshë, duhet ta heqësh zvarrë, dhe po ra në tokë, thyhet. Në makinë hyn vetëm po të heqësh sedile e pasme.

Dhe po hyri, makinën e ke plot. Në shtëpi gjithmonë duhet t`i shmangesh. Rri aty në një mënyrë kaq idiote…” shkruan Suskind në veprën e tij. Herë pas here ai pandeh se ndoshta muzika e dhomës mund të ishte shpëtimi nga anonimati i orkestrantëve të dënuar për t’i rënë veglave gjithë jetën atje poshtë, në gropën gjysmërrethore.  “Kontrabasi” është një vepër e cila i është kushtuar një njeriu të mbërthyer në sigurinë që i jep puna e përjetshme dhe dhoma e izoluar. Gjithçka është qesharake në këtë trajtesë tragjike.

Ai është monologu i këtij njeriu të butë dhe të frustruar, që në jetën e vet i ka bërë vend veçse muzikës dhe instrumentit. Është gjithashtu tregimi i hidhur i vetmisë dhe i hakmarrjes së artistit, mbi të cilin s’kanë rënë kurrë projektorët e skenës.  “E nganjëherë e vendos kontrabasin në karrige, e mbështes në shpinore me harkun pranë, e ulem në kolltuk. E mandej e shikoj. E mandej mendoj: ç’vegël e poshtër!

Jo, po shikjojeni vetë! Provoni pakëz ta shikoni. A nuk ngjet me një plakë të dhjamosur? Vithet shumë të ulëta, beli një shëmti e vërtetë, ndërsa shpatullat e ngushta e të rrëzuara si prej rakitike. Me u çmendë”, nje pjesë tjetër e monodramës.  Suskind me instiktin e tij të fortë për të kuptuar absurdin e përsonazhit të vet, dëshmon me këtë rast se i njeh njerëzit po kaq mirë sa edhe muzikën.

Dorëshkrimi i monodramës “Kontrabasi” i Patrick Suskind daton më 1980 dhe premiera u dha në Teatrin Cuvilliés në Mynih, më 22 shtator 1981. Ky tekst u vu në skenë në shumicën e teatrove gjermanishtfolëse dhe vetëm në sezonin e viteve 1984 – 1985 u luajt më shumë se 500 herë.  Patrick Suskind u lind më 1949 në Gjermani. Ai është shkrimtar, dramaturg dhe skenarist, i njohur ndërkombëtarisht prej romanit “Parfumi”, botuar më 1985.

Kjo vepër vjen si bashkëpuni  ndërmjet Qendrës Kutlurore Tirana, Bashkia Tiranë, Institutit Gëte dhe Ministrisë së Kulturës. “Kontrabasi” do të shfaqet në Teatrin Metropol në datat 24, 25 dhe në datën 26 mars do të shfaqet te “Reja”.

20 mars 2017 (gazeta-Shqip.com)