Sociale Veliaj: 10 mijë persona të punësuar, shumica nga zyrat e punës

Veliaj: 10 mijë persona të punësuar, shumica nga zyrat e punës

93
0
SHPËRNDAJE
Citroen Oferta 2

U nënshkrua sot Pakti Kombëtar i Mirëqenies Sociale, i cili bën bashkë për herë të parë të gjithë partnerët që veprojnë në fushën sociale duke synuar ngritjen e një sistemi të integruar përkujdesi shoqëror koherent dhe të qëndrueshëm duke koordinuar angazhimet dhe unifikuar politikat, buxhetet dhe kapacitetet në Nivel Kombëtar.

Në fjalën përshëndetëse, Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj vlerësoi reformën e ndërmarrë gjatë këtyre viteve në shërbim të njerëzve në nevojë. Duke u ndalur  te punësimi, Veliaj theksoi se ndryshe nga qeverisja e shkuar ku zyrat e punës ishin selitë e partive politike, tashmë ato janë  funksionale dhe në shërbim të atyre që vërtet kanë nevojë.

“Zyra e punës në Shqipëri ishte zyra e punës e partisë në koalicion me seli të madhe në qendër të Tiranës, e partisë që të shpërblente me mënyrën se si ishe sjellë në fushatë , ishte një shaka e madhe të flisje për zyra pune. Zyrat e punës që unë gjeta ishin në fakt apartamente të marra me qira në shokët e ministrit. Ja ku jemi sot, Kemi të hapura sot 105 kantiere, rreth 10 mijë veta të punësuar shumica prej tyre nga zyrat e punës”, tha Veliaj.

Kreu i Bashkisë u bëri thirrje kolegëve të tij që drejtojnë njësitë vendore për të marrë një rol më të madh për administrimin e zyrave të punës. Veliaj theksoi se duhet të punohet me bizneset për të punësuar njerëz në bashkëpunim me zyrat e punës.

“Për ne si kryetar bashkish duhet të marrim një rol më të madh, nuk duhet të vazhdojmë prej qeverisë që të administrojë zyrat e punës. Ne vetë duhet të merremi më shumë së pari me kantieret që hapin vetë ku zyrat e punës duhet të jenë stacioni i parë dhe së dyti me të gjithë bizneset në zonë, që ne do ju japim gjithë mbështetjen, por ju duhet të vini të merrni njerëz nga zyrat e punës”, tha ai.

Kreu i Bashkisë komentoi dhe çështjen e shpërndarjes së dëmshpërblimit për ish të përndjekurit politikë, duke thënë se ndryshe nga qeverisja e djathtë që i harroi, qeverisja socialiste ishte ajo që pagoi shtatë këste.

“Sot diskutohet mbarimi i këstit të shtatë dhe fillimi i këstit të tetë. Unë besoj se në fund të ditës një njeri duhet të bëjë një balancë e të thotë ku ishim dhe ku jemi. Socialistët hapën dosjet dhe socialistët japin para. Besoj se i bën nder të parë besimi te solidariteti,një shtet social  që nuk i lë të dobëtit pavarësisht arsyeve politike apo historike që mund ta kenë sjellë situatën në atë nivel”, theksoi Veliaj.

20 mars 2017 (gazeta-Shqip.com)