Sociale Fiks Fare/ Tragjas, vilat e politikanëve mes luksit, banorët pa ujë e...

Fiks Fare/ Tragjas, vilat e politikanëve mes luksit, banorët pa ujë e drita

1304
0
SHPËRNDAJE

Fiks Fare në rubrikat e tij sociale i ka dhënë një vend të veçantë problemeve që hasin zonat rurale.

Fshatrat të cilat nuk kanë të njëjtën vëmendje dhe buxhet nga ana e shtetit si zonat e zhvilluara. Udhëtimi i radhës ishte drejt fshatrave Tragjas dhe Treblovë të rrethit Vlorë.

Pushtetarët ndajnë fshatin në 2 lagje, ndryshojnë si nata me ditën.
Fshati Tragjas  është një nga fshatrat e Njësisë Adminsitrative të Orikumit rreth 14 km nga  qyteti i Vlorës. Janë rreth 150 shtëpi në këtë fshat, por të ndarë në dy lagje. Dikur ky fshat është quajtuar “Moska e Vogël” ndërsa sot është e ndarë në dy pjesë.

Njëra lagje e fshatit është me rrugë asfalti, me ndiçim dhe ujë të pijshëm, ndërsa lagjja tjetër nuk ka asgjë nga këto.  Problemi kryesor i këtyre banorëve është rruga nga qendra e fshatit deri të ish depot e rezervave të shtetit. Bëhet fjalë për një segment rrugor 800 deri 1000 metra,  e cila aktualisht është me kalldrëm dhe lidh rreth 70 shtëpi. Të moshuarit ankohen se nuk mund të futen makinat në këtë rrugë, që t’i marrin kur janë të sëmurë. Të gjithë politikanët dhe pushtetarët u kanë premtuar banorëve se do ja u rregullojnë rrugën, por asgjë nuk është bërë.

Madje në lagjen e “privilegjuar” ka rreth 10 deputet dhe ish deputet të cilët kanë ndërtuar shtëpitë e tyre të pushimit. Kurse në lagjen e “diskriminuar” të fshatit nuk ka asnjë politikanë apo njerëz të pushtetshëm.

Në qendër të fshatit, te Rrepet e Izvorit, buron ujë i pijshëm. Por edhe këtë mrekulli të natyrës banorët nuk mund ta gëzojnë, pasi aty sëbashku me ujërat e bardha derdhen dhe ujërat e zeza. Banorët fatkeq të cilët në gjirin e tyre nuk kanë pushtetarë janë munduar që gropat e mëdha të rrugës t’i mbushin vetë me karroca me gurë e të shtyjnë për pak kohë.

Gazetarët iu drejtuan Njësisë Administrative Orikum, ku administratorja Melazie Selami u  shpreh se “Bashkia e Vlorës po përpiqet që të gjejë fonde për ta rregulluar këtë pjesë rruge, por deri tani nuk ka asnjë lajm të mirë”.

Treblovë: Banorët kërkojnë rrugën 5 km, bashkia shtron rrugën për Peshkëpi
Udhëtimi i rradhës ishte drejt Treblovës 5.5 km nga qyteti i Seleniçës në Vlorë. Fshati ka 700 – 800 banorë të çilët merren me bujqësi, me kultivimin e ullirit, vreshtarisë, pemëtarisë dhe blegtorisë. Banorët e këtij fshati ankohen për problemin e rrugës që lidh këtë fshat me Selenicën. Prej shumë vitesh aty nuk është vënë dorë shprehen banorët. Madje një rast që e pohojnë një zëri, është se të gjithë sëbashku kanë detyruar një firmë franceze e cila nxirrte bitum në afërsi të fshatit, të riparonte dëmtimet që kishte bërë në këtë rrugë.

Pranë fshatit Treblov kalon dhe përroi i Hotimës, që gjatë dimrit bëhet i pakalueshëm për këmbësorët dhe makinat.  Ish kandidati për kryetar bashkie në zgjedhjet e fundit fillojë të investojë ngritjen e një ure,  por e la në mes sepse nuk fitojë dhe u largua.

Bashkia e Selenicës ka aprovuar një fond për bërjen e një rruge që të lidh Treblovën  me fshatin Peshkëpi, me gjatësi 10 km, por ende nuk ka një fond të bëjë rrugën që lidh Treblovën me Selenicën e cila është vetëm 5.5 km. Kjo rrugë kaq e domosdoshme për banorët  i lidh ata më shpejt me spitalin, shkollën e mesme,tregun, fabrikën e vajit etj.

Për problemin e rrugës Drejtori i Planifikimit  dhe Kontrollit të Zhvillimit të Territorit, z. Klevis Bedini na tha se: “Segmenti rrugor Treblovë-Selenicë 5.5 km do të riparohet brenda gjashtëmujorit të këtij viti, por segmenti rrugor Treblovë- Peshkëpi 10 km është tenderuar dhe do të fillojnë punimet”.

Edhe shkolla 9 vjeçare e këtij fshati është përshtatur si e tillë nga një hangar duhani dhe nuk është në gjendje të mirë. Edhe pse është riparuar disa herë mbetet po në të njëjtat kushte, pasi punimet janë bërë jo cilësore. Sot në këtë shkollë ka rreth 50 nxënës. Por ajo që i shqetëson më shumë këta banorë dhe e kërkojnë patjetër është rruga.

31 mars 2017 (gazeta-Shqip.com)