Kulturë Fatos Lubonja: Shkrimi më shpëtoi nga shkatërrimi në burg

Fatos Lubonja: Shkrimi më shpëtoi nga shkatërrimi në burg

618
SHPËRNDAJE

Fatos Lubonja një nga emrat e njohur të mendimit shqip, ka qënë dje pjesë e takimeve “Letërsia dhe Qyteti”, organizuar nga dy gazetaret Alda Bardhyli dhe Beti Njuma. Qindra njerëz iu bashkuan këtij takimi, ku Lubonja ndryshe nga daljet e tij të tjera publike, u shfaq më I emocionuar.

Pyetja e parë që iu drejtua Lubonjës, kishte të bënte me lidhjen e tij të hershme me shkrimin. Vepra të njohura të letërsisë botërore, por dhe librat e Ismail Kadaresë dhe Dritëro Agollit kanë qënë ato që grishën tek ai dëshirën për shkrimin.

Me daljen në jetë, dhe me njohjen më nga afër të realitetit, Lubonja u shpreh se do të ndjente një zhgënjim nga letërsia e soc-realizmit, e cila e deformonte jetën, duke nxjerrë në pah një realitet virtual i cili nuk ekzistonte, përvecse në librat që këta shkrimtarë shkruan.

Lubonja foli dhe për periudhën e kaluar në burgun famëkeq të Spaçit dhe marrëdhënien e krijuar me librin atje. “Të lexuarit nën ato kushte, shpjegoi ai, ishte një mënyrë për të ruajtuar jo vetëm kontaktin me botën jashtë por sidomos për të mbajtur gjallë njerëzoren brenda një makinerie që punonte sistematikisht për ta shkatërruar atë.

Nga ana tjetër, të shkruajturit vinte natyrshëm si nevojë dhe detyrë për të përcjellë dëshmi të atij realiteti të errët, në mënyrë që historitë individuale dhe nëpërmjet tyre, ndërgjegjja kolektive e një shoqërie të mbahej gjallë për të mos u përsëritur kurrë më”, u shpreh ai.

I pyetur mbi mënyrën sesi trajtohet sot letërsia e burgut, Lubonja u shpreh se ka një gabim që në përkufizimin që I bëhet kësaj letërsie, pasi letërsia është letërsi dhe nuk mund të ketë kategorizime. Sipas tij, letërsia e shkruar brenda hekurave e ka sfiduar në një farë mënyre letërsinë e soc-realizmit duke qënë më realiste dhe më afër të vërtetës.

Lubonja foli për vitin 1994 një vit i cili shënjoi botime të rëndësishme në karrierën e tij, siç janë dy librat “Në vitin e shtatëmbëdhjetë” dhe “Ploja e mbrame”, si dhe revista “Përpjekja” e cila për vite me radhë do të bënte bashkë mendimin elitar shqip. Në vitin 1996 ai botoi librin “Ridënimi” dhe më pas “Liri e kërcënuar”. Identiteti dhe mënyra sesi politika e ka orientuar jetën e shqiptarëve këto vite ishin pjesë e bashkëbisedimit, i cili më shumë u përqëndrua tek letërsia.

Ashtu si Flober që shprehet se “Zonja Bovari jam unë”, dhe Lubonja beson se letërsia nuk mund të jetë gjë tjetër veccse një formë tjetër rrëfimi e jetës së shkrimtarit, ndaj pjesa më e madhe e librave që ka shkruar janë një formë autobiografie.

“Sigurisht që librat e prindërve të mi, librat që ishin në biblotekën tonë familjare për shkak të mundësive që ata kishin për ti pasur këto libra, do të ndikonin në formimin tim”, u shpreh ai. Fatos Lubonja mbaroi studimet për fizikë në Universitetin e Tiranës më vitin 1974.U akuzua dhe arrestua për shkrimet që iu gjetën të fshehura, për agjitacion dhe propagandë kundër regjimit dhe për to u dënua 7 vite burgim.

Në vitin 1979 u arrestua sërish dhe u dënua sërish edhe 16 vite të tjera burgim, me akuzën si pjesëtar i një organizate kundër revolucionare. Nga burgu u lirua në vitin 1991 pas shtatëmbëdhjetë vitesh burgim. Nga koha e lirimit gjer në vitin 1993 punoi si sekretar i Përgjithshëm i Komitetit Shqiptar të Helsinkit. Ai vijon të jetë një ndër emrat më aktiv në publicistikën shqiptare.

6 prill 2017 (gazeta-Shqip.com)