Kulturë Vepra e disidentes Musine Kokalari, në Panairin e librit në Milano

Vepra e disidentes Musine Kokalari, në Panairin e librit në Milano

147
0
SHPËRNDAJE

Në datat 19 – 23 prill 2017 Shqipëria do të jetë pjesëmarrëse në këtë panair

Deti Adriatik mbetet lidhësi dhe përshkuesi i kulturave të vendeve në brigjet e tij.

Pjesë e kësaj lidhje dhe përshkrimi është edhe nisma “Deti epet për t’u përshkuar” Rajonit të Puglia-s, Fondacionit Gramsci në Puglia, Shtëpisë Botuese “Besa” (pjesë e Salento Books), të cilat në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës së Shqipërisë, Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Itali, Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë, Konsullatës shqiptare në Milano, Ministrisë së Kulturës së Malit të Zi, prezanton dhe promovon letërsinë shqipe dhe malazeze në Itali, si dhe intensifikon bashkëpunimin ndërterritorial mes këtyre vendeve në fushën e kulturës.

Promovimi i kësaj nisme do të bëhet në Panairin e botuesve italianë në Milano – Tempo di Libri – që do të zhvillohet nga data 19 deri me 23 prill. Përveç ekspozimit të librave nga letërsia shqipe pranë stendës së Rajonit të Puglia-s, më datë 21 prill do të zhvillohen edhe tre takime të rëndësishme për letërsinë shqipe dhe bashkëpunimin kulturor mes Shqipërisë, Italisë dhe Malit të Zi.

Takimi i parë “Afërsia dhe letërsia. Promovimi i letërsisë shqipe në Itali”, do të ketë të ftuar për të diskutuar Ambasadorja e Republikës së Shqipërisë në Itali, Anila Bitri Lani, profesori i gjuhës dhe letërsisë shqipe në Universitetin e Kalabrisë, Francesco Altimari, drejtuesi i shtëpisë botuese “Besa” Livio Muci dhe shkrimtarin Arben Dedja. Ky takim do të modelohet nga bashkëpunëtorja e Albania News, njëherazi presidente e shoqatës MIGRA unlus, Sonila Alushi dhe do të zhvillohet në orën 12:00 në pavijonin 4, N 24 / O 23.

Në këtë takim, të ftuarit do të diskutojnë rreth mundësisë së përkthimit dhe promovimit të letërsisë shqipe në gjuhën italiane: ndihmesa e komunitetit arbëresh si rrugë lidhëse mes kulturës shqiptare dhe asaj italiane, politikat shtetërore në mbështetje të promovimit të letrave shqipe, nismat private të botuesve italianë në bashkëpunim me botuesit shqiptarë, si dhe aftësisë dhe mundësitë e autorëve shqiptarë për promovimin e letërsisë së tyre jashtë vendit.

Takimi i dytë, i iniciuar nga Ministria e Kulturës dhe Biblioteka Kombëtare, në vijim të projektit vjetor të këtyre dy institucioneve mbi promovimin e figurës dhe veprës së Musine Kokalarit në përvjetorin e 100 të lindjes së saj, do të ketë të ftuar profesorin e asociuar të Antropologjisë në Universitetin e Mesinas, Mauro Geraci, hartues i botimit në gjuhën italiane të librit “Musine Kokalari, jeta ime universitare. Kujtimet e një shkrimtareje shqiptare në Romën fashiste”, si dhe profesorin e Filozofisë moderne në Universitetin Urbanian në Romë, Adrian Ndreca. Në bisedë me Mimoza Hysën, drejtore e Drejtorisë së Krijimtarisë së Fjalës dhe Përkthimit në Ministrinë e Kulturës, takimi do të zhvillohet në orën 14.00 në po në njëjtën stendë.

Takimi do të zhvillohet nën siglën D si Disidenca, në përshtatje me hartën e tematikave sipas shkronjave të alfabetit të hartuar nga organizatorët e panairit të librit në Milano. “Musine Kokalari – vetëdija e shkrimit dhe qëndresës” është dhe tema për të cilën do të diskutohet duke u përqendruar te figura e Musine Kokalarit si shkrimtarja e parë në letrat shqipe, me një vetëdije të qartë për shkrimin e letërsisë, si intelektuale e shquar e aktive në jetën sociale e kulturore të vendin, si politikane bashkëthemeluese e Partisë Social-Demokrate, dhe si një prej figurave më dinjitoze të qëndresës kundër diktaturës komuniste. Në fokus të bisedës do të jetë libri i Musine Kokalarit me kujtimet e viteve të shkollimit të saj në Romë, i shkruar në gjuhën italiane, duke dëshmuar kështu një ndër të parat përpjekje të autorëve shqiptarë për të kapërcyer pengesat gjuhësore në promovimin e krijimtarisë së tyre jashtë vendit.

Takimi i tretë për bashkëpunimin ndërterritorial kulturor ku do të ketë të ftuar për të diskutuar Elira Kokona, Sekretaren e Përgjithshme në Ministrinë e Kulturës, Dragica Miliç, Drejtor i Përgjithshëm në Ministrinë e Kulturës së Malit të Zi, Ledia Mirakaj, Sekretar i Parë në Ambasadën e Shqipërisë në Itali, Aldo Patruno, Drejtor i Departamentit të Turizmit, Ekonomisë së Kulturës dhe Zhvillimit të Rajonit të Puglia-s. Ky takim do të zhvillohet në orën 16.00 po në të njëjtën stendë.

Të ftuarit do të diskutojnë rreth hapësirave të bashkëpunimit kulturor mes Shqipërisë, Malit të Zi dhe Italisë e në veçanti të promovimit të letërsisë së këtyre vendeve në gjuhën italiane.

19 prill 2017 (gazeta-Shqip.com)