Sociale Nis ndërtimi i rrugës “Faik Konica”, Veliaj: Investime në çdo lagje

Nis ndërtimi i rrugës “Faik Konica”, Veliaj: Investime në çdo lagje

248
0
SHPËRNDAJE

Bashkia e Tiranës ka nisur ndërtimin e rrugës “Faik Konica” në Njësinë nr. 2, duke futur një koncept të ri ne infrastrukture, ku në vend të shtrimit me asfalt, do të përdoret kalldrëmi. Gjatë inspektimit të punimeve, kryebashkiaku Erion Veliaj tha se investimi do të lehtësojë qarkullimin e automjeteve në këtë zone, duke përmirësuar edhe komunikimin mes disa rrugëve.

“Ka nevojë që të ketë një komunikim më të mirë të lagjes sepse kjo është një zonë jashtëzakonisht e banuar, që lidhet me liqenin dhe disa zona si stadiumi “Qemal Stafa”, i cili pasi të përfundojë, do të jetë tej mase e frekuentuar. Kështu që, është shumë e rëndësishme që ky damar të funksionojë si një linjë transiti midis Rrugës së Elbasanit dhe sheshit “Nënë Tereza”, kryesisht e dedikuar për banorët e zonës”, tha Veliaj.

Krahas ndërtimit të kanalizimeve, asfaltimit dhe vendosjes së ndriçimit, projekti parashikon përdorimin e pllakave në formë kalldrëmi, çka do të rrisë edhe më tej sigurinë duke paralajmëruar drejtuesit e automjeteve për kufizimin e shpejtësisë.  “Edhe shtresa nuk do të jetë asfalt, por do të jetë me pllaka, në formë kalldrëmesh, për të ecur ngadalë dhe për të respektuar faktin që kjo është një zonë rezidenciale. Besoj se do të kemi një koncept të ri të dizenjimit urban të lagjeve dhe kuartallave, ku do të kalojmë nga rrugët me asfalt, në rrugë me kalldrëm, edhe për të sinjalizuar një ulje të shpejtësisë, në respekt te banoreve dhe përdoruesve të biçikletave”, tha Veliaj.

Kreu i Bashkisë garantoi se një kujdes i veçantë i është kushtuar edhe gjelbërimit, ku është parashikuar mbjellja e 180 fidanëve të rinj me bli dhe pisha. “Do të mbjellim 180 pemë të reja bli dhe pisha përgjatë gjithë korsisë së rrugës, për t’u siguruar që një pemë e sëmurë zëvendësohet me 60 pemë të shëndosha”, shtoi ai.

Duke siguruar vijimin e investimeve edhe në zona të tjera të kryeqytetit, kryebashkiaku Veliaj deklaroi se gjithçka është vetëm çështje kohe. “Për sa kohë që Bashkia e Tiranës vazhdon me këtë ritëm, pra çdo ditë një punë konkrete, është vetëm çështje kohe sa të vijmë edhe te rruga e kujtdo personi që mezi po pret që Bashkia të paraqitet aty me investime. Nëse vazhdojmë me këtë ritëm, në një vit kemi 365 investime, në dy vite që po mbushet nga mandati ynë kemi rreth 700 investime. Pra, është vetëm çështje kohe sa të jemi prezent në çdo lagje”, theksoi Veliaj.

Ndërtimi i plotë i rrugës “Faik Konica” parashikon ndërhyrje në gjithë nënshtresat dhe shtresat sipërfaqësore, ndërtimin e kanaleve të ujërave të zeza, të ujërave të bardha, ndërtimin e linjave rezervë për fibrat optike, si dhe ndriçimin e rrugës. Gjerësia e rrugës do të jetë 11.5 metër, ku një korsi do të shërbejë për qarkullimin e automjeteve dhe një për parkimin, ndërsa do të ketë edhe një korsi të dedikuar për biçikletat.

20 prill 2017 (gazeta-Shqip.com)