Sociale Veliaj: Ka marrë fund koha e ndërtimeve pa rregulla, tani kemi detyrë...

Veliaj: Ka marrë fund koha e ndërtimeve pa rregulla, tani kemi detyrë urbanizimin

274
0
SHPËRNDAJE
Citroen Oferta 2

Ka marrë fund koha e ndërtimeve pa rregulla, dhe tashmë bashkia ka detyrë t’i urbanizojë këto zona, është shprehur kreu i bashkisë së Tiranës Erion Veliaj. Ai inspektoi nisjen e punimeve për ndërtimin e rrugës “Dalip Topi”, një zonë e populluar kryesisht pas viteve ’90.

“Nga ky moment nuk ka më improvizime të tipit, secili murin e vet, secili kanalin e vet të ujërave bardha, të ujërave të zeza, secili një gropë septike apo një pusetë të shpikur aty për aty. Sot të gjitha bëhen me një standard dhe parimi është që, pasi ke ardhur në Tiranë, do të luash me rregullat e qytetit. Është ekzaktësisht ajo që po bëjmë këtu në rrugën ‘Dalip Topi’”, u shpreh Veliaj, duke theksuar se investimet e realizuara nga bashkia në një vit janë 11 herë më të mëdha se sa katër vitet e mëparshme.

Ai siguroi qytetarët se gjatë këtij viti, institucioni që ai drejton do të ketë si prioritet kryerjen e investimeve kapilare në çdo lagje.

“Bashkia e Tiranës ka një moto: Çdo ditë nga një punë konkrete. Puna konkrete për ditën e sotme është rruga “Dalip Topi”, e cila në fakt është një rrugë kufitare midis dy njësive të vjetra, Njësisë 3 dhe Dajtit, sot janë të dyja pjesë e Tiranës së madhe. Tirana është shtëpia e të gjithëve, do të thotë që është edhe shtëpia e tropojanëve, edhe e korçarëve, por edhe e tiranasve autoktonë. Do të thotë që me këtë shumëllojshmëri popullsie që në lagjet ku jetojmë, ajo që na bën bashkë është rregulli, rregullat komunitare, rregullat urbanistike dhe hapësirat publike që duhet t’i ndajmë me njëri-tjetrin”, tha Veliaj.

Në rrugën “Dalip Topi” Bashkia e Tiranës parashikon sistemimin e ujërave të zeza e të bardha dhe ndërtimin e mureve mbajtës. Përveç asfaltimit është projektuar edhe pajisja e rrugës me ndriçim e sinjalistikë, si dhe gjelbërimi i saj.

21 prill 2017 (gazeta-Shqip.com)