Intervistë më poetin nga Maqedonia Daim Miftari


Daim Miftari, poeti i ri nga Maqedonia ishte  i pari që hapi siparin e veprimtarive në Rezidencën letrare “POETEKA – Tirana in Between 2017”. Përgjatë një muaji ai jetoi Tiranën duke e parë atë nën ndjesinë e vargjeve. Miftari lindi në Gostivar, (1979). Ka studiuar në degën e Gjuhës dhe Letërsisë shqiptare në Fakultetin Filologjik “Bllazhe Koneski” në Shkup, ku edhe ka magjistruar me temë: “Individualiteti poetik i Xhevahir Spahiut”.Ka punuar si gazetar, përkthyes dhe mësimdhënës në shkollë të mesme. Jeton në Shkup. Ndër librat e tij mund të përmëndim “Tingujt e heshtjes”, (Qendra për Kulturë ASNOM, 2007), “As ëndrra për nesër”, (Shkup , 2010) “Zemjata na zborot/Toka e fjalës”, botim në maqedonisht dhe shqip (Shtëpia Botuese “Silsons”, Shkup, 2011), “Vetëm” (Logos A, Shkup, 2013), “Përtej mureve”, “Shkup, 2016.).Për krijimtarinë e Daim Miftarit kanë shkruar studiues dhe krijues si Ahmet Selmani, Shqiptar Oseku, Lindita Ahmeti, Salajdin Salihu. Sipas akademikut Ali Aliu, ky poet është njëri ndër më të talentuarit në poezinë e sotme shqipe. Poezi e këtij autori janë përfshirë në antologjitë: “Letërsia shqipe” (Maqedoni, 2008), Antologjinë e poetëve “A Dangerous Metod”, (Albas, Tiranë 2015.)Dai Miftari ka qenë i ftuar në manifestime letrare si “Shkupi lexon”, 2016, në “Mbrëmjet poetike të Strugës”, në 2009, ku poezi janë përfshirë në botimet e këtij evenimenti, në shqip, maqedonisht dhe anglisht, etj. Pas kthimit të tij në Maqedoni, ai vjen më poshtë në një rrëfim për librat e zemrës.


Aktualisht, cilët janë librat që keni më për zemër? 


“Ishulli i mundshëm” nga Michel Houellebecq, “Mali magjik” nga Tomas Man,”Rrëfim mbi dashurinë dhe errësirrën” dhe “Jeta rimon me vdekjen”, nga Amos Oz, “Pavdekësia” nga Milan Kundera; në poezi:”Qyteti ku dua të jetoj”, nga Adam Zagajewski, “Qiell i lënë përgjysmë”, nga Tomas Transtromer,”Shpirti vallëzon në djep” nga Niel sHav, “Qyteti pa emër” nga Czeslaë Milosz.


Cili është për ju romani më i mirë i të gjitha kohërave?


Janë disa.E kam të vështirë ta përcaktojë.


Cilat janë për ju tregimet më të parapëlqyerat e të gjitha kohërave?


Definitivisht, të gjitha tregimet e Dino Buzzatit.


Çfarë gjinie letrare ju pëlqen të lexoni? Dhe çfarë nuk lexoni?


Lexoj më shumë poezi, dhe përpiqem që kohën ta harxhoj duke lexuar letërsi të klasit të parë. Jam përzgjedhës rigoroz. Nuk lexoj letërsi të dobët.


Çfarë librash mund të na befasojnë po t’i gjejmë në raftet tuaja?


Mbase, do të ju befasojë fakti se pjesën më të madhe të bibliotekës sime e përbëjnë librat me poezi.


Kush është heroi ose heroina juaj imagjinare e parapëlqyer?


Dimitri Nekladov, te “Ringjallja” e Leon Tolstoit.


Çfarë lloj lexuesi ishit në fëmijërinë tuaj? Cilët ishin librat dhe autorët tuaj të parapëlqyer?


Di që kam lexuar shumë dhe çfarë më binte në dorë. E di po ashtu, që kanë qenë libra për të rritur dhe jo për moshën time. Atë botë, xhaxhai im ishte student në Prishtinë, dhe i lexoja të gjitha librat që sillte ai, botimet më të reja në atë kohë. I jam mirënjohës, sepse në qytetin dhe kohën kur u rrita unë vështirë arrije deri tek libri, për të mos thënë e pamundur.


A jeni future ndonjëherë në telashe për të lexuar një libër?


Jo.


Po t’ju duhej të përmendnit një libër që ju ka bërë ky që jeni sot, cili do të ishte ai?


Të gjitha librat nga pak dhe jo vetëm. Do të ishte më e drejtë, nëse them se janë shumë gjëra që më kanë bërë të jem ky që jam.


Nga librat që keni shkruar, cilin parapëlqeni më shumë ose është më kuptimplotë për ju?


Çdo libër duhet të jetë më i mirë se pararendësi.Të paktën, unë këtë synoj.Dhe deri diku them se ia kam arritur, prandaj dhe do veçoj të fundit fare “Përtej mureve” dhe disa tregime që më presin t’I përfundojë. Deri tani kam shkruar dhe botuar vetëm poezi. Mbase, ka gjëra që s’I zë poezia, kështu disi lindi tregimi tek unë. Por ka kohë, më pret ende shumë punë.


Po qe se do t’I kërkonit kryeministrit të lexonte një libër, cili do të ishte ai?


Nuk e di. Mbase do i thoja të lexojmë shumë poezi.


Keni planifikuar një darkë me njerëz të letrave.Cilët janë tre shkrimtarët e ftuar?


Tomas Man, Dino Buzzati, Czeslaw Milosz. Por fatkeqësisht, asnjëri nuk jeton fizikisht.


Zhgënjyes, i mbivlerësuar, thjesht jo i mirë: për cilin libër mendoni se duhet t’ju kishte pëlqyer, por nuk ju pëlqeu? A ju kujtohet libri i fundit që e keni mbyllur pa mbaruar?


“Jetë fshati”, nga Amoz Os, përndryshe një shkrimtar shumë i dashur për mua.


Kë do të donit të shkruante historinë e jetës suaj?


Stefan Cvajg.


Te cilët libra ktheheni vazhdimisht?


Te autorët dhe veprat klasike dhe poezia e madhe botërore e shekullit XX, deri në ditët tona.


Për çfarë librash ndiheni keq që nuk i keni lexuar ende?


Kemi shkrimtarë shumë të mire shqiptarë. Ndihem keq që nuk arrijë t’I lexojë, duke rendur pas letërsisë botërore.


Çfarë keni ndërmend të lexoni tjetër?


Mbase, këtë që sapo përmenda. Të lexoj më shumë shkrimtarë shqiptarë.


A.Bardhyli


9 maj 2017 (gazeta-Shqip.com)