Kryesoret Meta: U detyrova të bëhesha President! PS-PD le të më shkarkojnë

Meta: U detyrova të bëhesha President! PS-PD le të më shkarkojnë

1034
0
SHPËRNDAJE

Presidenti i zgjedhur Ilir Meta, ka folur sot me nota të ashpra kur u pyet nëse ka shkelur Kushtetutën duke marrë pjesë në fushatë.

Në emisonin “Opinion”, Meta tha se nëse kjo gjë është shkelje, atëherë PS dhe PD të mblidhet dhe ta shkarkojnë. Ai tha edhe se u detyrua në një farë mënyre të bëhej president, për shkak të krizës politike.

“Së pari, nëse dy partitë e mëdha kanë bindje se kam shkelur kushtetutën atëherë mblidhuni dhe më shkarkoni. Unë kam lindur trim. Sipas Kushtetutës, unë jam President kur të bëhet betimi, – tha Meta. – President u detyrova të bëhesha nga kriza mes Ramës dhe Bashës. Përgjegjësia ndaj vendit më shtyu të bëhesha president dhe të shpëtoja këtë institucion”, tha Meta.

Meta ka hedhur kritika të forta drejt njërës prej produkteve të lindura nga pakti Rama Basha, Task Forca e krijuar në qeveri për të hetuar personat që marrin pjesë në fushatën elektorale në kundërshtim me ligjin. Meta ka deklaruar se kjo Task Forcë është një produkt i Ramës dhe Bashës, dhe sillet si një Gestapo, për të frikësuar dhe hequr nga puna njerëzit e thjeshtë.

E pikërisht për këtë çështje, Meta ka shtuar se në këtë Task Forcë nuk ka asnjë përfaqësues të LSI-së, dhe se kjo strukturë po dëmton rëndë vendin dhe administratën.

Madje Meta ka shtuar se edhe policia po kthehet në një polici politike, në interes të Ramës dhe Bashës.

“Janë bërë bashkë kundër standartit të zgjedhjeve! Kanë krijuar në një mënyrë të errët një task forcë, të dy bashkë, e cila po funksionon si një gestapo, duke shkelur të gjitha ligjet e shtetit, duke dhunuar statusin e nëpunësit civil, duke e zhbërë praktikisht reformën në administratën civile, dhe në këtë task forcë nuk ka asnjë përfaqësues të LSI-së… dhe jo vetëm kaq, por që të dy bashkë, kanë marrë përsipër një mision të dështuar. E kanë kthyer policinë e shtetit, në një polici politike!”, – shpjegoi Presidenti i zgjedhur.

8 qershor 2017 (gazeta-Shqip.com)