Ekonomi Mblidhet në MZHETTS, task forca për Turizmin

Mblidhet në MZHETTS, task forca për Turizmin

74
0
SHPËRNDAJE

 

Nën drejtimin e Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, z. Gentian Këri, u zhvillua takimi i radhës i Task Forcës për Turizmin. Në mbledhje u diskutua mbi marrjen e masave përgjatë sezonit turistik 2017.

Këri konfirmoi se grupi i punës në ditët e ardhshme do të kryejë dy kontrolle në stacionet e plazheve: kontrolli i parë nga data 27 Qershor  deri në 04 Korrik 2017 dhe kontrolli i dytë nga data 31 Korrik  deri në 04 Gusht 2017.

Më pas fjalën e mori drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Turizmit, z. Ardit Çollaku, i cili tha se janë hapur 2 Info Pointe të reja në qytetin e Vlorës, ndërkohë që vijon bashkëpunimi me njësitë vendore, shoqata, institucione qendrore dhe lokale për bashkë-organizime të eventeve të ndryshme me qëllim promovimin e turizmit.

Edhe nga Policia e Shtetit është ngritur dhe funksionon grupi i punës për hartimin e Programit të Punës të Drejtorisë së Policisë së Shtetit, “Për garantimin e rendit dhe sigurisë publike në zonat turistike dhe plazhe, rritjen e parametrave të sigurisë rrugore dhe menaxhimin e hyrje/daljeve në kufi, gjatë sezonit turistik verore 2017”. Përfaqësuesi i Policisë së Shtetit, z. Albert Dervishaj, tha se janë përcaktuar detyrat për të gjitha strukturat policore, bashkëpunimin ndërinstitucional dhe ndërkombëtar, si dhe është shtuar numri i sporteleve dhe personelit policor në PKK (hyrje-dalje), me qëllim krijimin e lehtësirave për grupet e turistëve që frekuentojnë vendin tonë.

  1. Dervishaj tha se janë ngritur dhe 4 stacione provizore për sigurinë publike konkretisht në zonat: Theth, Valbonë, Gjiri i Lalëzit dhe Ksamil.

Ndërkaq, z. Kujtim Bebja nga Inspektoriati Shteteror i Mjedisit dhe Pyjeve, tha se ka filluar inspektimi i të gjithave  njësive të qeverisjes vendore për vend-depozitimet e mbetjeve urbane dhe pastrimin e territorit në të gjithë vijën bregdetare. “Gjatë këtyre muajve do të inspektohen subjektet akomoduese, subjektet turistike dhe ato të shërbimit të ushqimit të përgatitur (restorante, piceri, fast-food etj.), si dhe në të gjitha subjektet përgjatë gjithë vijës bregdetare”​, theksoi z. Bebja.

Përfaqësuesja e Ministrisë së Kulturës, znj. Kozeta Angjeliu, tha se janë marrë masat për zgjatjen e orareve të vizitave në muze dhe parqe kombëtare. Orari i vizitave nisin nga ora 09:00 e mëngjesit deri në orën 20:00 të darkës, duke përfshirë fundjavat dhe ditët e festave.

Dollani tha më tej se është publikuar në faqen e Ministrisë së Kulturës kalendari, i cili azhornohet vazhdimisht bazuar në informacionet që dërgohen nga bashkitë për aktivitete të ndryshme që do të zhvillohen gjatë sezonit turistik.

Përfaqësuesi nga Ministria e Shëndetësisë, z. Erol Çomo, informoi mbi riaktivizimin e numrave të emergjencës në vendet turistike për çdo problem shëndetësor që pushuesit do të hasin gjatë sezonit, ndërsa ngriti shqetësimin e mbipopullimit të pishinave me pushues.

Zv.Drejtoresha e Përgjithshme e Tatimeve, znj. Elisabeta Katiaj gjatë diskutimeve në tryezë pohoi se janë ngritur strukturat e hetimit të ndara në rajone, konkretisht rajoni verior, qendror dhe jugor. Nga 1 korriku-, tha ajo, do të fillojë zbatimi i planit të masave zyrtare ku drejtoritë rajonale do të jenë në terren për verifikime konkrete.

Në përfundim të takimit z. Këri falënderoi pjesëmarrësit për raportimin e deritanishëm të institucioneve të përfshira në këtë grup, dhe kërkoi përmbushjen e të gjitha masave që duhet të marrë secili institucion apo agjenci në nivel qendror dhe lokal.

14 qershor 2017 (gazeta-Shqip.com)