Botë Irak, nis ofensiva në qytetin e vjetër të Mosulit

Irak, nis ofensiva në qytetin e vjetër të Mosulit

168
0
SHPËRNDAJE

Një komandant irakian thotë se trupat e qeverisë po avancojnë në bazën e fundit të grupit ekstremist, Shteti Islamik (IS), në Mosul, që është qyteti i dytë më i madh në Irak, pas kryeqytetit, Bagdad.

Gjenerali Abdul-Amir Rasheed Yarallah, që i komandon operacionet e ushtrisë në rajonin Ninevah, tha se forcat speciale irakiane, ushtria e rregullt dhe policia federale, po marrin pjesë në operacionin për rimarrjen e Qytetit të Vjetër të Mosulit, që ka filluar sot.

“Sulmet e para ajrore filluan aty kah mesnata”, tha një oficer i komandës së operacioneve në Ninevah, dhe shtoi se “forcat e sigurisë në agim kanë filluar të depërtojnë në pjesë të Qytetit të Vjetër”.

Grupi ekstremist, Shteti Islamik, e kishte marrë kontrollin ndaj Mosulit në vitin 2014, duke e shpallur atë “kalifat” për territoret të cilat i kontrollon.

Forcat irakiane, të mbështetura nga sulmet ajrore të koalicionit të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara, kanë bërë presion të vazhdueshëm gjatë ofensivës së gjatë disamuajshe, për ta rimarrë Qytetin e Vjetër, në pjesën perëndimore të qytetit, nga militantët e Shtetit Islamik.

Marrja e kontrollit në Qytetin e Vjetër, i banuar me popullatë të dendur, është i rëndësisë madhore për kthimin e tërë qytetit të Mosulit nën kontroll të Qeverisë së Irakut.

Konsiderohet se afro 150 mijë civilë janë të bllokuar në Qytetin e Vjetër, ndërsa militantë i përdorin ata si mburojë njerëzore, ka thënë koordinatorja për çështje humanitare e Kombeve të Bashkuara, Lise Grande. Sipas saj, kushtet janë “dëshpëruese” pasi mungon ushqimi dhe uji i pijshëm.

Në tetor të vitit të kaluar, forcat irakiane e kanë lançuar ofensivën për Mosul dhe në muajin janar të këtij viti është rimarrë pjesa lindore e Mosulit, ndërsa në shkurt ka filluar operacioni për marrjen e pjesës tjetër.

Lëvizja e fundit kah Qyteti i Vjetër i Mosulit u bë një ditë pasi ushtria e Irakut tha se forcat sunite të saj dhe luftëtarët fisnorë sunitë i kanë përzënë ekstremistët e Shtetit Islamik nga kalimi kufitar, Al-Waleed, afër Sirisë. Ky lokalitet ishte marrë para tri vjetësh nga Shteti Islamik.

Në kumtesën e ushtrisë së Irakut u tha se aeroplanët amerikanë dhe ata irakianë i kanë mbështetur forcat tokësore në ofensivën në kufirin perëndimor të Irakut.

Al-Waleed është matanë qytetit kufitar sirian, Al-Tanf, ku është e vendosur një bazë amerikane, nga e cila ndihmohen forcat që luftojnë kundër Shtetit Islamik dhe kundër Qeverisë së Sirisë dhe aleatëve të presidentit të Sirisë, Bashar al-Assad, gjatë luftës civile tashmë gjashtëvjeçare në Siri.

Në qershor të vitit 2014, Shteti Islamik e kishte okupuar lokalitetin Al-Waleed, derisa militantët kishin okupuar territore të gjëra në Siri dhe Irak, ndërsa kryeqytete ishin shpallur Raka në Siri dhe Mosuli në Irak.

Derisa ishte në Al-Waleed, grupi ekstremist e kishte kontrollin ndaj kufirit ndërmjet Sirisë dhe Irakut. Në atë kohë, ata synonin eliminimin e kufirit dhe krijimin e “kalifatit” për territorin në dy shtetet arabe.

Por, luftëtarët e mbështetur nga Shtetet e Bashkuara në Irak dhe Siri, tash po u bëjnë presion forcave të Shtetit Islamik dhe po përpiqen që përfundimisht t’i përzënë militantët nga dy kryeqytetet e vetëshpallura.

Pos mbështetjes për forcat qeveritare irakiane, Shtetet e Bashkuara i përkrahin edhe kryengritësit sirianë dhe kurdë, që luftojnë kundër qeverisë së Assadit në Siri. Rusia dhe Irani e mbështesin Assadin.

Prania e forcave amerikane në anën siriane, afër vendit Al-Tanf, i ka parandaluar forcat shiite të mbështetura nga Irani, të cilat e përkrahin Assadin, që të marrin furnizime përgjatë rrugës kryesore Bagdad – Damask.

Marrja e kontrollit në Al-Waleed me gjasë do t’i lehtësojë përpjekjet e Shteteve të Bashkuara atje.

Në fillim të këtij muaji, koalicioni i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara tha se e kishte eliminuar një njësi të forcave të mbështetura nga Irani, që luftonin për Assadin, derisa ishin afruar kah baza në Al-Tanf. Rusia e ka kritikuar këtë sulm duke e cilësuar si “akt të agresionit”.

Pentagoni më 14 qershor ka shpallur vendosjen e një sistemi special të artilerisë mobile në bazën Al-Tanf. Kjo shpallje, po ashtu, ishte kritikuar nga Rusia.

Rreth qytetit Raka në Siri, forcat siriane demokratike të mbështetura nga Shtetet e Bashkuara, kanë marrë territor në pjesën veriore, lindore dhe perëndimore të qytetit, derisa ato përgatiten për sulmin final kundër këtij qyteti, që është bazë e grupit ekstremist, Shteti Islamik.

18 qershor 2017 (gazeta-Shqip.com)/REL