Sport Kukësi, pranë dy goditjeve cilësore

Kukësi, pranë dy goditjeve cilësore

173
0
SHPËRNDAJE

Kukësi nis të marrë formë, pasi drejtuesit e klubit kanë konfirmuar marrëveshjen me mbrojtësin spanjoll Alberto Serran dhe mesfushorin vlonjat Hair Zeqiri. Të dy futbollistët pritet të hedhin firmën në kontratë ditën e hënë, që është afati i fundit për listën e skuadrës që duhet dorëzuar në UEFA në prag të debutimit në Champions League.

Por nëse për dy lojtarët e sipërpërmendur gjithçka duket e mbyllur, kampionët e vendit janë në tratativa për të afruar edhe dy lojtarë tepër cilësorë. I pari në listë është boshnjaku Emir Halilovic, mbrojtësi 27-vjeçar që sezonin e kaluar e mbylli me Spartak Trnava në Slovaki. 25 janë ndeshjet e luajtura nga Halilovic në kampionat duke shënuar edhe 4 gola. Gjithashtu mbrojtësi ka luajtur një ndeshje me kombëtaren e Bosnjë Hercegovinës ndaj Polonisë në vitin 2011.

Nëse me Halilovic drejtuesit e Kukësit mendojnë të blindojnë mbrojtjen në mesfushë vështrimin e kanë hedhur drejt Egjiptit, ku synohet futbollisti i kombëtares së këtij vendi Mohamed Ibrahim. 25-vjeçari është pjesë e skuadrës së njohur në kampionatin vendas Zamalek, teksa dikur ka luajtur në Europë me Maritimon në kampionatin portugez. Orët në vijim janë decizive për mbylljen e këtyre dy marrëveshjeve, pasi të hënën më datë 19 duhet dorëzuar lista e plotë e skuadrës që do të marrë pjesë në turin e dytë eliminator të Champions League.

18 qershor 2017 (gazeta-Shqip.com)