Sport Kombëtarja e meshkujve shkëlqen ndaj Azerbajxhanit

Kombëtarja e meshkujve shkëlqen ndaj Azerbajxhanit

176
0
SHPËRNDAJE

Kombëtarja e meshkujve në volejboll fitoi sot pasdite 3-1 ndaj Azerbajxhanit, në ndeshjen e tretë të Grupit A, të vlefshëm për Ligën e Europës. Takimi u zhvillua në Shkup të Maqedonisë, aty ku kombëtarja e drejtuar nga trajneri Jani Melka arriti dy fitore (mundi 3-2 Suedine) dhe një humbje (u mund 3-0 nga Maqedonia vendase) në fazën e parë, duke u renditur në vendin e dytë.

Një paraqitje fantastike kjo e sotmja e djemve kuqezinj, që e dominuan ndeshjen në shumicën e kohës, duke mos i dhënë asnjë shans për të fituar skuadrës azere. Fitorja e mban në lojë ekipin kuqezi për t’u kualifikuar për në fazën finale, ku shkojnë dy ekipet e para.

Dy setet e para janë dramatike, por falë kujdesit e qetësisë, djemtë kuqezinj, falë lojës së mirë të Husaj, arrijnë të bëjnë mrekullinë, duke fituar me shifrat e njëjta 25-22. Në setin e tretë janë azerët që janë superior, përfitojnë nga një përgjumje e kuqezinjve për të fituar 25-17.

Por vetëm kaq për rivalët tanë, pasi në setin e katërt zbret në fushë një kombëtare kuqezi fantastike, që dominon në cdo drejtim dhe fiton thellë 25-10 e krejt takimin 3-1. Pas 5 ditësh do të luhen në Tiranë takimet e kthimit, me shpresën që Shqipëria të ruajë vendin e dytë dhe të shkojë në fazën finale të Ligës së Europës.

19 qershor 2017 )gazeta-Shqip.com)