Ekonomi Panairi i dhisë së Hasit, Kodheli: Mbështesim nismën që rrit aktivitetin ekonomik

Panairi i dhisë së Hasit, Kodheli: Mbështesim nismën që rrit aktivitetin ekonomik

143
0
SHPËRNDAJE

Kryesuesja e listës së kandidatëve për deputetë të Partisë Socialiste për qarkun e Kukësit znj. Mimi Kodheli mori pjesë në Panairin e dhisë së Hasit, që u zhvillua në bjeshkët e kësaj krahine. Panairi u organizua nga Agjencia e Zhvillimit të Zonave Malore dhe bashkia e Hasit në kuadër të projektit “Ruajtja dhe vlerësimi i biodiversitetit: Zhvillimi rural i qëndrueshëm i zonës malore ballkanike.”

Në fjalën e saj zonja Kodheli premtoi mbështetjen e qeverisë për zhvillimin e këtyre zonave, si në infrastrukturë, si në rritjen e cilësisë së produktit të blegtorëve të këtyre zonave malore. “Qeveria do mbështesë çdo iniciativë që rrit aktivitetin ekonomik në këto treva, që rrit begatinë e kësaj zone të jashtëzakonshme e të mrekullueshme, pjesë e bjeshkëve tona, e cila ka akoma shumë nevojë për investime në infrastrukturë, për nxitje të ekonomive të vogla dhe të mesme, për ta çuar produktin shqiptar kudo në botë atje ku e meriton.

Ka nevojë ky produkt për më shumë standarde, ka nevojë ky produkt për më shumë mbështetje. Unë thjesht dhe vetëm dua t’i falenderoj dhe t’i komplimentoj të gjithë prodhuesit, rritësit, blegtorët që dhe në kushte të vështira, mund të nxjerrin nga duart e tyre një mrekulli siç është kjo mrekulli që kemi sot dhe për të cilën jemi mbledhur.”

Kryetari i bashkisë së Hasit z. Adem Lala bëri thirje për ta bërë sa më të njohur djathin e dhisë, produkt i cili është regjistruar me markën e cilësisë, dhe për këtë premtoi mbështetje e bashkisë që ai drejton. Ai gjithashtu akordoi me nga një çmim në vlerë monetare për çdo blegtor që mori pjesë në këtë panair me tufën e tij.

Panairi i dhisë së Hasit ka për qëllim nxitjen e blegtorëve hasjanë për mbarështimin e kësaj kafshë dhe produkteve të bulmetit nga qumështi i saj, si dhe rritjen e cilësisë dhe standardeve, por edhe promovimin e tyre.

19 qershor (gazeta-Shqip.com)