Kryesoret Rama: LSI parti patentash, ja pse ndodhi krisja e koalicionit

Rama: LSI parti patentash, ja pse ndodhi krisja e koalicionit

145
0
SHPËRNDAJE

Kryeministri Rama ka folur sot nga Lushnja në një takim elektoral, duke treguar edhe arsyen e krisjes me LSI-në.

Pasi tha se reformat me koalicionin ishin të suksesshme, Rama tha se krisja me LSI-në në fakt ka nisur me votimin e reformës në drejtësi.

“Krisja me ta nuk ka nisur tani. Krisja me partnerin e koalicionit ka nisur me votimin e reformës në drejtësi. Ata ëndërrojnë akoma se ajo nuk do të zbatohet”, tha Rama.

Kryeministri iu përgjigj edhe PD-së, për sportin më të fundit elektoral, ku Rama paraqitet si një drejtues automjeti pa patentë që aksidentohet.

“I them partisë së patentave, se unë nuk po ju ftoj në një garë me makina. Vërtet s’kam patentë, por s’është e njëjta gjë”, tha Rama.

Rama: E duan tepsinë vetëm për pushtet

Më herët, Rama zhvilloi pasditen e sotme një takim elektoral në zonën e Kasharit ku u kërkoi qytetarëve që t’i japin Partisë Socialiste pushtetin për të qeverisur vetëm, në mënyrë që më në fund pas 27 vjetësh, të mund ‘të bëhet shtet për të gjithë shqiptarët’.

“Të bashkohen demokratët e socialistët dhe tepsinë e pushtetit ta hedhim për skrap dhe të bëjmë shtet për gjithë shqiptarët. Këtu s’është puna për mua personalisht, as për deputetët, këtu është fjala për popullin.  Administrata në 27 vjet nuk u bë dot. Hipoteka, Patentat, Kolaudimi, pjesa e shërbimeve për popullin nuk u bë kurrë. Po na dhatë fuqinë të kemi pushtetin, kjo nuk bëhet dot, sepse asnjë kryeministër sado i gjatë të jetë s’e çon dot tepsinë për skrap se janë partitë që e duan.  Janë parti si ndërmarrje, që përpunojnë njerëz, nuk prodhojnë salcë por vota. E duan tepsinë për pushtet, jo për Shqipërinë. Në timon duhet të jetë PS, nëse ka edhe të tjerë që duan të japin kontribut, janë të mirëseardhura”, tha Rama.

Ai u shpreh se, nëse ka diçka për të cilën njerëzit duhet të krenohen, ato janë reformat që qeveria e tij ka ndërmarrë me qytetarët.

“Po të ishim njësoj, sot borxhi nuk do të shkonte duke u ulur, por do të ishim siç ishim para 44 muajsh, me një gropë financiare të madhe”, ka vijuar më tej Rama.

 

19 qershor 2017 (gazeta-Shqip.com)